Gjykata e Gjilanit

Dënohet me burg ish-shefi i Prokurimit në Gjilan

Gjykata e Gjilanit e ka dënuar me 1 vjet e 6 muaj burg ish-drejtorin e Departamentit të Prokurimit në Komunën e Gjilanit, Salih Kqiku, i akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Sipas vendimit, për pikën e parë të aktakuzës keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar, Kqiku është liruar nga akuza për mungesë të provave.

Palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese kundër këtij aktgjykimi në Gjykatën e Apelit.

Sipas aktakuzës, i akuzuari në cilësinë e personit zyrtar, drejtor i Departamentit të Prokurimit – menaxher i Zyrës së Prokurimit në Komunën e Gjilanit, ka vepruar në kundërshtim më Ligjin e Prokurimit Publik, lidhur me kontratën publike kornizë  “Hartimi i Projekteve kryesore në komunën e Gjilanit Lot II”, e lidhur me datë 14 prill 2015, në mes të Komunës së Gjilanit dhe kompanisë “Engrup & Edona” SH. P. K., e cila kontratë ka qenë trivjeçare, që ka zgjatur deri më datë 10 prill 2018.

Sipas njoftimit, ai ka vepruar në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit Publike sepse nga data 27 maj 2016 deri më 21 nëntor 2017, ka tejkaluar vlerën e kontratës në shumë prej 278.438,21 euro, duke i sjellë përfitim të kundërligjshëm pasuror operatorit ekonomik “Engrup & Edona” SH. P. K. dhe në këtë mënyrë ka dëmtuar Komunën e Gjilanit, duke diskriminuar operatorët e tjerë potencial, ka sjellë rrezikun e rritjes së obligimeve jashtë kontraktuale dhe ka rrezikuar realizimin e projekteve tjera të planifikuara.

Gjykata thotë se me këto veprime, i akuzuari ka kryer veprën penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar, vepër e sanksionuar me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).