Foto: ZKM

Demokraci Plus: Qeveria Hoti të mos emërojë më shumë se dy zëvendësministra për ministri

Organizata jo-qeveritare Demokraci Plus ka reaguar pas emërimeve të zëvendësministrave nga qeveria e Avdullah Hotit.

Në reagim thuhet se, ekzekutivi kosovar emëroi vetëm 7 gra, nga 46 zëvendësministra në total të emëruar deri më tani.

“Sot bëhet një muaj nga zgjedhja e Qeverisë Hoti, brenda së cilës periudhë janë emëruar 46 zëvendësministra në kuadër të 16 ministrive. Numri i zëvendësministrave për ministri shkon nga një deri në pesë, por që ky numër pritet të rritet duke pasur parasysh që si proces nuk është përmbyllur ende. Nga numri i përgjithshëm i zëvendësministrave të emëruar, vetëm 7 janë gra apo 15% dhe 39 burra apo 85%. Për më tepër, vendimet e Qeverisë për emërimin e këtyre zëvendësministrave nuk janë publike, si dhe emrat e tyre nuk janë publikuar në ueb faqet zyrtare të ministrive përkatëse”, thuhet në njoftimin për media të kësaj OJQ-je.

Demokraci Plus tha se qeverisja e LDK-së shkeli edhe një zotim që e kishte bërë vetë kandidatja për kryeministre e kësaj partie, Vjosa Osmani.

“Gjatë periudhës së fushatës zgjedhore, LDK përmes kandidates së saj për kryeministre, ka nënshkruar Deklaratën e Zotimeve për Qeverisje të Mirë të hartuar nga Demokraci Plus. Përmes kësaj deklarate, LDK është zotuar në kufizimin e numrit të zëvendësministrave në maksimumi dy për ministri. Ky ka qenë edhe premtim elektoral, të cilin kërkojmë nga LDK si udhëheqëse e Qeverisë që t’i përmbahet. Kufizimi i numrit të zëvendësministrave, përveçse do të reduktojë shpenzimet financiare në këtë kohë të krizës ekonomike të shkaktuar nga pandemia COVID-19, ne besojmë se do të ndikojë edhe në rritje të efikasitetit të qeverisë, eliminimit të praktikës së punësimeve klienteliste, dhe vet ruajtjes së integritetit të pozitës së zëvendësministrit e cila po devalvohet nga emërimet e personave të pakualifikuar dhe mbipopullimit”, thuhet tutje në njoftim.

Kjo organizatë jo-qeveritare ka kërkuar që të respektohet aspekti gjinor në emërimet e zëvendësministrave.

“Të mos emërohen më shumë se dy zëvendësministra për ministri; Mos të ketë zëvendësministra nga subjekti politik i njëjtë me ministrin; Të mos ketë zëvendësministra nga i njëjti subjekt politik brenda një ministrie; Zëvendësministrat të kenë portofol të caktuar; Zëvendësministrat të jenë persona me integritet të lartë profesional dhe moral; Të garantohet përfaqësim i barabartë gjinor për pozitat e zëvendësministrave; Të publikohen me kohë të gjitha vendimet për emërime të zëvendësministrave; Të azhurnohen të gjitha ueb faqet e ministrive me emrat dhe të dhëna biografike për zëvendësministrat”, thuhet në reagimin e Demokraci Plus.

KALLXO.com raportoi ditë më parë se, LDK nuk i mbajti premtimin për qeveri të vogël.

Mashtrimi i LDK-së për qeveri të vogël

www.kallxo.com