Ramush Haradinaj e Aleksandar Vuçiq

Haradinaj: Me deklaratën për masakrën e Reçakut Vuçiq tregon urrejtjen ndaj shqiptarëve

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka reaguar pasi që presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, tha sot se masakra e Reçakut është një trillim i sajuar nga William Walker.

Haradinaj përmes një postimi në Facebook tha se kjo deklaratë e presidentit serb dëshmon urrejtjen patologjike të Vuçiqit ndaj shqiptarëve.

“Ky qëndrim dëshmon qartë se Serbia edhe në formë institucionale e ruan paturpësisht mendësinë kriminale të trashëguar nga koha e Millosheviqit. Republika e Kosovës është shoqëri shumetnike, e përbërë nga shqiptarët dhe komunitetet tjera dhe urrejtja ndaj secilës etni është vepër e dënueshme me ligj”, ka shkruar ai.

Kryeministri në detyrë po ashtu ka thënë se është për keqardhje se si Serbia, që konsiderohet si shtet favorit nga BE-ja, vazhdon ta kultivojë urrejtjen etnike ndaj shqiptarëve dhe mohon krimet gjenocidale të saja, duke kontaminuar kështu të ardhmen e tyre dhe duke zvogëluar shanset për paqe dhe pajtim në rajon.

Reagimi i Vuçiqit për masakrën e Reçakut erdhi pasi Gjykata në Prishtinë e ka dënuar me dy vjet burg ish-ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal të Kosovës, Ivan Todosijeviq.

Ai është gjetur fajtor për një deklaratë të dhënë vitin e kaluar me të cilën e quante trillim masakrën e Reçakut të 15 janarit 1999, kur forcat serbe vranë 45 civilë shqiptarë.

Në korrik të këtij viti, Prokuroria e Prishtinës kishte ngritur aktakuzë kundër ish ministrit të MAPL-së, Ivan Todosijeviq për nxitje të urrejtjes dhe përçarjes.

Sipas Prokurorisë Todosijeviq në cilësi të Ministrit me dashje, ka nxitur dhe përhapur publikisht urrejtje, përçarje dhe mos durim midis grupeve kombëtare, racore dhe etnike që jetojnë në Republikën e Kosovës.

Në aktakuzë thuhet se Todosijeviq në cilësinë e pjesëmarrësit dhe folësit në tubimin qytetar kundër intervenimit të NATO-s, ka thënë se masakra e Reçakut ishte Trillim.

Pas kësaj deklarate, kryeministri Ramush Haradinaj e kishte shkarkuar Todosijeviqin nga pozita e ministrit.

Më 15 janar të vitit 1999, forcat policore dhe ushtarake serbe kryen njërën ndër masakrat më të tmerrshme në vendin tonë. 20 vjet më parë në Reçak u vranë dhe u masakruan barbarisht 45 shqiptarë të paarmatosur. Ky gjenocid, tronditi gjithë opinion ndërkombëtar.

Ambasadori William Walker, e cilësoi ngjarjen në Reçak si krim kundër njerëzimit. Madje, thuhet se masakra e Reçakut ishte pika e kthesës për luftën dhe çlirimin e Kosovës.

Reçaku, fshati që e vizitoi vdekja dhe e harroi drejtësia

.