Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq - Foto: REL/Courtesy Photo

Thaçi reagon ndaj deklaratave të Vuçiqit për Reçakun

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka reaguar ndaj deklaratave të homologut të tij serb, Aleksandar Vuçiq për masakrën e Reçakut.

Vuçiq sot tha se kjo masakër është një trillim i sajuar nga William Walker.

Ndërsa, Thaçi tha se mohimi i krimeve serbe në Kosovë pengon pajtimin dhe paqen mes dyja vendeve.

“Unë shoh zyrtarë nga #Serbia që mohojnë disa nga krimet më të këqija kundër civilëve që ndodhën në Evropë, të konfirmuara nga ICTY, si # Reçak. Politikat gjenocidale serbe nuk mund të mbrohen. Ata duhet të denoncohen. Paqja, pajtimi, drejtësia nuk mund të ndërtohet bazuar në mohimin e krimeve”, ka shkruar Thaçi në Twitter.

Reagimi i tij erdhi pasi Gjykata në Prishtinë e ka dënuar me dy vjet burg ish-ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Ivan Todosijeviq.

Ai është gjetur fajtor për një deklaratë të dhënë vitin e kaluar me të cilën e quante trillim masakrën e Reçakut të 15 janarit 1999, kur forcat serbe vranë 45 civilë shqiptarë.

Në korrik të këtij viti, Prokuroria e Prishtinës kishte ngritur aktakuzë kundër ish ministrit të MAPL-së, Ivan Todosijeviq për nxitje të urrejtjes dhe përçarjes.

Sipas Prokurorisë Todosijeviq në cilësi të ministrit me dashje ka nxitur dhe përhapur publikisht urrejtje, përçarje dhe mosdurim midis grupeve kombëtare, racore dhe etnike që jetojnë në Kosovën.

Në aktakuzë thuhet se Todosijeviq në cilësinë e pjesëmarrësit dhe folësit në tubimin qytetar kundër intervenimit të NATO-s ka thënë se masakra e Reçakut ishte trillim.

Pas kësaj deklarate, kryeministri Ramush Haradinaj e kishte shkarkuar Todosijeviqin nga pozita e ministrit.

Më 15 janar të vitit 1999, forcat policore dhe ushtarake serbe kryen njërën ndër masakrat më të tmerrshme në vendin tonë.

20 vjet më parë në Reçak u vranë dhe u masakruan barbarisht 45 shqiptarë të paarmatosur. Ky krim i llahtarshëm tronditi gjithë opinion ndërkombëtar.

Ambasadori William Walker, e cilësoi ngjarjen në Reçak si krim kundër njerëzimit. Madje, thuhet se masakra e Reçakut ishte pika e kthesës për luftën dhe çlirimin e Kosovës.

Reçaku, fshati që e vizitoi vdekja dhe e harroi drejtësia

.