ILUSTRIM Të burgosur në Burgun e Dubravës - Foto: KALLXO.com

DASH: Ka të burgosur në Kosovë që dëmtojnë vetën për t’i plotësuar nevojat e tyre

Të dënuarit e vendosur në burgje e në qendra të paraburgimit në Kosovë është dashur që të lëndojnë vetën e tyre vetëm që të marrin vëmendjen e duhur nga zyrtarët përgjegjës për t’i plotësuar nevojat e tyre, përfshirë këtu edhe kujdesin mjekësor.

Kështu është theksuar në raportin e përvitshëm të Departamentit të Shtetit Amerikan (DASH).

“Qendra Rehabilituese për Viktimat e Torturës raportoi se të dënuarit nganjëherë dëmtonin vetën për të tërhequr vëmendjen ndaj nevojave të tyre, duke përfshirë kujdesin mjekësor, transferimet ose privilegjet”, është thënë në raportin e DASH.

Ky nuk është problemi i vetëm që është raportuar e që ekziston në burgjet e Kosovës.

Raste të korrupsionit e të nepotizmit supozohet se janë prezentë edhe brenda qendrave të privimit të lirisë.

Zyrtarët e Qendrës së Rehabilitimit kanë raportuar se raste të tilla përfshijnë personelin korrektues dhe atë shëndetësor.

Si një nga qendrat me më së shumti raste të tilla, është veçuar qendra korrektuese në Dubravë.

Në anën tjetër, Mekanizmi Parandalues Kombëtar kundër Torturës, që funksionon në kuadër të Institucionit të Avokatit të Popullit, ka raportuar se ka marrë dhjetë raporte mjekësore nga autoritetet shëndetësore të burgjeve për lëndimet e të burgosurve për shkak të dhunës ndërmjet tyre.

Dhe po ashtu, janë raportuar pesë raste ku të burgosurit pretendojnë se kanë marr lëndime nga oficerët korrektues.

Ky mekanizëm ka kontrolluar dosjet mjekësore të këtyre rasteve, por sipas DASH nuk i kanë intervistuar apo vizituar, personalisht apo virtualisht, të burgosurit që pretendojnë se janë të përfshirë në këto incidente.

Raste më të shpeshta ku pretendohet se ka ngacmim verbal, dhunë në mes të burgosurve e keqtrajtim fizik nga zyrtarët korrektues, DASH raporton se janë vërejtur kryesisht në burgun e Dubravës, në burgun e sigurisë së lartë në Podujevë dhe në njësinë për të mitur në Qendrën Korrektuese në Lipjan.

Një problem tjetër që është raportuar është edhe çështja e të burgosurve me çrregullime mendore.

Për këtë kategori DASH thotë se janë të strehuar në burgjet ku janë të strehuar dhe të burgosurit tjerë që nuk kanë probleme të tilla.

“Për shkak të mungesës së hapësirës, të burgosurit me çrregullime mendore strehoheshin me popullatën e përgjithshme të burgjeve”, thuhet në raport.

Për këtë çështje shpjegohet se kapaciteti i Institutit Psikiatrik Ligjor i Kosovës për trajtimin dhe strehimin e personave të paraburgosur me aftësi të kufizuara mendore ka qenë vetëm 24 pacientë.

Sipas DASH, çdo person tjetër i paraburgosur me çrregullime mendore vendosej në qelitë e burgut me të burgosur tjerë, ani pse ligji kërkon që kriminelët e dënuar me probleme të dokumentuara të shëndetit mendor të mbahen në ambiente të dedikuara.

Raportin e plotë të DASH mund ta gjeni KËTU.