Foto: Ilustrim

Raporti i DASH për burgjet: Korrupsion, dhunë, mungesë e dritës dhe ajrit nëpër qeli

Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH), për Kosovën ka vënë në theks të veçantë edhe gjendjen e burgjeve në Kosovë, duke përmendur dhunë, korrupsion e ekspozim të pikëpamjeve radikale fetare e politike.

Raporti përmend edhe trajtim jo adekuat për të burgosurit me aftësi të kufizuar mendore, nëpër burgjet e Kosovës.

Sipas Raportit, kushtet fizike nëpër qendrat e paraburgimit në Prizren, Pejë, Malishevë, si dhe në stacionet policore në Prishtinë, Gjakovë, Fushë Kosovë dhe Shtërpcë, nuk i kanë përbushur standardet, për shkak të ventilimit joadekuat, mungesës së dritës natyrore dhe hapësira të ngushta fizike.

“Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT), ka vërejtur se në një qeli në qendrën e paraburgimit në Gjilan kishte qasje të kufizuar në dritë natyrale dhe mungesë kamerash. Probleme të ngashme me dritë dhe ajrim i pamajftueshëm kishte edhe në qendrën e paraburgimit për gratë në Lipjan, mungonte edhe një objekt i veçantë për nënat dhe fëmijët”- thuhet në Raportin e DASH.

Po ashtu, Raporti thekson se rastet e kontrabandës me oficerët korrektues mbeten një sfidë, pavarësisht, sipas Raportit, angazhimit të qeverisë për të luftuar kontrabandën me masa disiplinore.

“Zyrtarët korrektues konfirmuan aktet e dyshuara të korrupsionit, të cilat janë raportuar në Policinë e Kosovës për hetim”.

Një tjetër problematikë që e ka përmendur Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit, është edhe trajtimi i të burgosurve me aftësi të kufizuar, duke e vlerësuar se është nën standardet e parashikuara.

Sipas Raportit, për shkak të mungesës së hapësirës të burgosurit me ç’rregullime mendore strehoheshin me të burgosurit tjerë. Sipas ligjit, të burgosurit e dokumentuar me probleme të shëndetit mendor, duhet të mbahen në ambiente të dedikuara për ta.

Gjithashtu, Raporti thotë se sipas Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT), kishte raste kur të burgosur të moshuar dhe me sëmundje kronike, janë trajtuar së bashku me përdorues të lëndëve narkotike.

“Organizata njoftoi se programet profesionale ishin të pamjaftueshme për të përballuar numrin në rritje të përdoruesve të drogës”- thuhet tutje në Raport.

Gjithashtu, QKRMT-ja ka pranuar ankesa nga të burgosurit për mungesë të seancave shëndetësore, cilësia e dobët e shërbimeve dhe mungesa e psikologëve nëpër institucionet korrektuese, veçanërisht në Dubravë.

Tutje, Raporti thotë se autoritetet nuk kanë kryer gjithmonë hetimet e duhura të ndonjë rasti të raportuar të keqtrajtimit. Sipas QKRMT-së, mekanizmi i brendshëm i ankesave nuk ka funksionuar në mënyrë efektike, me zyrtarët duke iu përgjigjur shumë ngadalë ankesave, ose në disa raste duke mos iu përgjigjur fare.

“Qendra ka dokumentuar se në disa raste mungonin formularët e ankesave. Përveç kësaj, të burgosurit shpesh nuk raportonin abuzimet për shkak të mungesës së konfidencialitetit dhe frikës nga hakmarrja”- thekson Raporti.

Raporti thotë se Qeveria miratoi një ligj të ri, që sipas QKRMT-së ka çuar në disa përmirësime. Dispozitat e reja ligjore kanë përfshirë një numër të shtuar të ditëve që të burgosurve u lejohej të kalonin jashtë qendrës së paraburgimit dhe leje për të burgosurit të marrin ushqim nga jashtë.

Gjithashtu Qeveria kishte krijuar një departament të intelegjencës korrektuese, për të identifikuar pikëpamjet radikale fetare ose politike nëpër burgje.

Raportin e plotë mund ta gjeni KËTU.