Ushtria ukrainase, Foto: Presidenca e Ukrainës

CNN: 18 mijë armë iu dhanë rezervistëve në rajonin e Kievit

Rreth 18 mijë armë me municion u janë shpërndarë rezervistëve vetëm në rajonin e Kievit që nga fillimi i pushtimit rus, sipas autoriteteve ukrainase.

Në një deklaratë të përbashkët, ministri i Mbrojtjes, Oleksiy Reznikov dhe Valeriy Zaluzhniy, shefi i shtabit të Forcave të Armatosura, thanë se edhe më shumë armë do të vijnë.

“Së shpejti do të marrim mbështetje shtesë me armë moderne dhe burime të tjera nga partnerët tanë”, thanë ata.

Burrave nga 18-60 vjeç iu ndalua të largoheshin nga Ukraina. Dje, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, urdhëroi një mobilizim të përgjithshëm ushtarak.

Zelensky tha se “për ta garantuar mbrojtjen e shtetit, për ta ruajtur gatishmërinë luftarake dhe mobilizuese të Forcave të Armatosura të Ukrainës dhe formacioneve të tjera ushtarake”, u urdhërua një mobilizim me bazë të gjerë, duke përfshirë Kievin, dhe të gjitha qytetet kryesore të Ukrainës.

Mobilizimi udhëzoi gjithashtu “rekrutimin e rekrutëve, rezervistëve për shërbimin ushtarak, dërgimin e tyre në njësitë ushtarake dhe institucionet e Forcave të Armatosura të Ukrainës” dhe shërbime të tjera të sigurisë shtetërore, raporton CNN.

Sot, është dita e dytë e pushtimit rus të Ukrainës – lufta e parë e madhe tokësore në Evropë në dekada.

Presidenti rus, Vladimir Putin, tha se ka nisur, sipas tij, një operacion “special” për “çmilitarizimin dhe denacifikimin” e Ukrainës.

Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe NATO-ja e dënuan sulmin dhe u zotuan se do ta mbajnë Rusinë përgjegjëse.

Britania e Madhe ka deklaruar se është e gatshme që t’i ofrojë Ukrainës mbështetje shtesë ushtarake, përfshirë armë mbrojtëse vdekjeprurëse si dhe garanci për kredi, me qëllim që ta ndihmojë Kievin “në përballimin e agresionit rus”.