Çitaku: Të shkarkohet ambasadori Berishaj, qeveria mos ta aminstojë këtë skandal
Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka kërkuar hetimin dhe shkarkimin e ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, lidhur me dyshimet në përfshirjen e tij në “skandalin energjetik”.
Çitaku ka thënë se është pikërisht kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, “ai i cili po bëhet pengesë për t’iu hapur rrugë përgjegjësisë dhe të vërtetës”.
Ajo bëri thirrje që kjo aferë të zbardhet deri në fund, që “imazhi i Kosovës si shtet të mos dëmtohet edhe më tej”.
Sipas saj, që nga fillimi i prillit të vitit 2022, Qeveria Kurti është munduar ta amnistojë e ta fshehë këtë skandal.
“Prapa ambasadorit Berishaj, fshihet një lidhje shumë më e thellë e pushtetit me mafinë energjetike të vendeve të rajonit. Martin Berishaj është mik i kryeministrit , i emëruar ambasador nga Kurti dhe përballë këtij skandali, i marrë në mbrojte direkte nga Kurti. Por, përkundër se qeveria është përpjekur me çdo kusht që ta amnistojë këtë aferë, skandali po thellohet çdo herë e më shumë dhe ka marrë rrugë drejt shpalosjes së fakteve tepër shqetësuese, të cilat jo vetëm që tejkalojnë çështjet e integritetit diplomatik e personal, apo edhe ndjekjes penale, por të cilat sot, shtrihen deri tek Zyra e Kryeministrit Albin Kurti dhe implikojnë vetë shtetin e Kosovës”- ka thënë Çitaku.
Çitaku përmendi raportimet në media se “kompania GEN ka hedhur në llogarinë Ambasadorit Berishaj 1 milion e 470 mijë euro”, vlera të cilat, ajo thotë se Berishaj nuk i ka raportuar në komision.
“Dje, mediat kosovare raportuan për të dhëna të tjera faktike në lidhje me veprimtarinë komerciale të z. Berishaj me GENIN, të dhëna për të cilat z. Berishaj nuk ka qenë i sinqertë gjatë paraqitjes së tij para Komisionit Hetimor. Sipas këtyre të dhënave, në llogarinë e z. Berishaj, kompania GEN ka hedhur hiq më pak se 1 milion e 470 mijë euro, vlera të cilat, z. Berishaj nuk i ka raportuar në komision” – thotë ajo.
Zëdhënësi i qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu ka reaguar dje pas raportimit të një medie në slloveni në të cilën thuhet se ‘fushata e kryeministrit Albin Kurti u financua me para të dyshimta të kompanisë GEN, dhe ambasadorit të Kosovës në Kroaci Martin Berishaj’.
“Shpërndarja e këtij “lajmi” nga një portal aq i dyshimtë në disa prej portaleve tona, pa ndonjë verifikim të historikut të Prava dhe profilit të Luka Pers, është në rastin më të mirë jo profesionale dhe jo etike. Sidomos kur dihet se në vitin 2021, llogaria e Luka Pers në Twitter është suspenduar pikërisht për shkak të shpërndarjes së lajmeve të rreme”- ka shkruar ai.
Në anën tjetër, nënkryetarja e PDK-së ka folur edhe për videon e Lëvizjes Vetëvendosje e cila u publikua dje në të cilin material sulmohen pushtetet e kaluara.
Ajo e quajti këtë material “për keqardhje”.
“Një parti është reduktuar në një produksion të dobët të videove propagandistike. Sikur një video e tillë me të arritura të prodhohet do të zgjaste pak sekonda po aq sa zgjat ecja në atë urën pak metershe që kryeministri e përuroj në Istog. Lista e dështimeve është shumë e gjatë. Nëse dikush pret nga PDK të gjuajmë gur dhe gaz lotsjellës në institucionet që i kemi ndërtuar vet, paska me prit shumë gjatë. Në fakt kjo nuk do të ndodh kurrë”- u shpreh ajo.
Dje, e marte, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka publikuar një video përmes së cilës promovon ato që i quan sukseset e Qeverisë Kurti, duke treguar se “Çka ka çka s’ka këto 2 vite?”.
Përmes kësaj video LVV thotë se nuk ka pasurim të politikanëve apo pasurim të bizneseve dhe familjeve të lidhura me pushtetin.