Perparim Kryeziu, Foto:facebook

Raportimet e medias sllovene për fushatën e Kurtit, zëdhënësi i qeverisë thotë se janë të pavërteta

Zëdhënësi i qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu ka reaguar pas raportimit të një medie në slloveni në të cilën thuhet se ‘fushata e kryeministrit Albin Kurti u financua me para të dyshimta të kompanisë GEN, dhe ambasadorit të Kosovës në Kroaci Martin Berishaj’.

Në reagimin në facebook, Kryeziu ka hedhur dyshime mbi portalin në fjalë dhe mos verifikimin e lajmit nga mediat tona.

“Shpërndarja e këtij “lajmi” nga një portal aq i dyshimtë në disa prej portaleve tona, pa ndonjë verifikim të historikut të Prava dhe profilit të Luka Pers, është në rastin më të mirë jo profesionale dhe jo etike. Sidomos kur dihet se në vitin 2021, llogaria e Luka Pers në Twitter është suspenduar pikërisht për shkak të shpërndarjes së lajmeve të rreme”- ka shkruar ai.

Zëdhënësi i qeverisë së Kosovës, i është përgjigjur edhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) e cila sot përmes anëtarit Xhafer Tahiri i kërkoi sqarime kryeministrit Kurti.

“Trajtimi nga partitë opozitare i një “lajmi” të tillë si temë nacionale, është më së paku shterpërsi opozitare. Dhe për fund, pretendimet e një portali të themeluar nga një pseudogazetar që ka punuar në një organizatë lajmesh të ekstremit të djathtë, llogaria në Twitter e të cilët është suspenduar për shkak të shpërndarjes së lajmeve të rreme, patjetër se janë të pavërteta”, ka shkruar ai.

Sot në konferencë për media, Xhafer Tahiri i LDK-së, foli mbi raportimin e këtj mediumi duke kërkuar nga kryeministri Kurti që të bëjë një sqarim.

“Gazetat sllovene kanë botuar një hulumtim ku hulumtohen lidhjet e Martin Berishaj me kompaninë GEN. Ky skandal po thellohet për 100 milionë euro të menaxhuara nga GEN ku dyshohet se është financuar fushata e Kurtit nga filiale e GEN në Tiranë” – tha ai.

“Gazeta raporton se nga 100 milionë euro, 60 milionë janë adresuar në Bosnje e Hercegovinë, ndërsa pjesa tjetër në Beograd dhe Tiranë. Prandaj duhet përgjigje, a janë përdorur këto para për fushatë, këto janë pyetje legjitime që u shton LDK, a janë përdorur qoftë edhe një cent për të financuar fushatën e kryeministrit Kurti” – shtoi ai.