Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

LVV me video të re, sulmon sërish pushtetet e kaluara

Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka publikuar një video përmes së cilës promovon ato që i quan sukseset e Qeverisë Kurti, duke treguar se “Çka ka çka s’ka këto 2 vite?”.

Përmes kësaj video LVV thotë se nuk ka pasurim të politikanëve apo pasurim të bizneseve dhe familjeve të lidhura me pushtetin.

“Nuk ka vjedhje, zhvatje, hajni. Pasurim të politikanëve nga politika. Nuk ka pasurim të bizneseve dhe familjeve të lidhura me pushtetin. Nuk ka nënshtrim dhe nuk ka nënshkrim kundër Republikës së Kosovës”- shkruan LVV.

Mes tjerash, LVV tregon se çka është bërë për këto dy vite.

”Ka shtet sepse s’ka banda. Ka zhvillim sepse s’ka hajni. Ka vizion sepse s’ka mësymje private. Ka shtet sepse ka shoqëri, ka qytetari. Ka Republikë!”- thotë LVV.

Megjithatë, partia në pushtet edhe më parë ka publikuar video postime në Facebook duke treguar punën e Qeverisë dhe duke sulmuar pushtetin paraprak.

Në tetor të 2022-tës, LVV publikoi një video në të cilën i ka akuzuar partitë opozitare për shkatërrim të shtetit për 20 vite.

“Duan të mbysin çdo përpjekje për vendin sepse nuk duan ta shohin atë tek lulëzo. Zhurmë, sharje, grevë e çka tjetër vetëm për të sabotuar shtetin e sulmuar Qeverinë” -thuhet në video-mesazh.

Në videon 2-minutëshe, partia në pushtet kishte vlerësuar se opozita dëshiron ta ndalë Qeverinë Kurti duke përmbysur vullnetin e qytetarëve.