Driton Selmanaj paralajmëron se nesër do të dërgojë kallëzim penal ndaj Martin Berishajt

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Driton Selmanaj, ka paralajmëruar se nesër do të dorëzojë kallëzim penal ndaj ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.

Në seancën e Kuvendit ku po diskutohet për raportin të Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me menaxhimin e krizës energjetike nga ana e Qeverisë së Republikës së Kosovës, Selmanaj ka thënë se kallëzimin ndaj tij do ta bëjë në cilësinë e kryetarit të komisionit, pasi sipas tij, Berishaj ka gënjyer gjatë raportimit në komision.

“Çka është gjithë ky zell me mbrojtë këtë person që na ka gënjy neve nën betim. Para se të raportojnë, e kam pasë detyrë zyrtare që të jua lexoj deklaratën nën betim. Deklarata thoshte se nëse ju nuk ofroni të vërtetën atëherë ndiqeni nga kodi penal. Aty thotë se dënohesh deri në 5 vite burg”- ka deklaruar Selmanaj.

“Prandaj në cilësi të kryesuesit të këtij komisioni e kam detyrim kushtetues dhe si parti politike e kemi diskutu që me procedu kallëzim penal për këtë person sepse gënjeshtra nuk kalon. Mendoj që është në interes që të hetohet për deklarim të rremë sepse për pjesë të tjera janë përgjegjësi e dikujt tjetër”- shtoi ai.

Deputeti i LDK-së ka treguar se çka e ka pyetur ambasadorin Berishaj, gjatë intervistimit të tij në komisionin hetimor për energjinë.

“Kam qenë insistuesi më i madh që ta pyes zotëri Berishajn se a është pronar i kompanisë MB Consulting dhe përgjigja e tij ishte kështu: ‘Po është një firmë në të cilën e kam formuar në vitin 2017 në Mal të Zi, nuk funksionon që nga viti 2020. Ajo i ka kryer të gjitha obligimet, nuk ka hyrje dalje, të gjitha obligimet që kanë qenë në formë kontraktuale, ajo është mbyllje, nuk qarkullojnë para. Mund të hyni në internet dhe do shihet se a ka pasu qarkullim apo jo’” – ka treguar Selmanaj për përgjigjet e Berishajt.

Selmanaj tha se Berishajn e ka pyetur edhe se sa punëtorë i ka kompania “MB Consulting”

“Po kompania MB Consulting sa punëtorë i ka, thotë që ‘Vetëm unë jam’. I them çfarë profesioni keni, thotë që jam doktor i shkencave politike dhe them a keni ju kontratë me GEN-in për tregtim të energjisë, ai më thotë po, ‘kam qenë si këshilltar, kam punu edhe si profesor’” – njoftoi deputeti.

Tutje, Selmanaj ka thënë se Berishajn e ka pyetur se çka ka lidhje një doktor i shkencave politike me tregtimin e energjisë.

“Kur unë e pyes po çka ka lidhje një doktor i shkencave politike me tregtimin e energjisë, ai thotë ‘Unë e kam konsultuar në çështjet strategjiko-politike të tregtimit të energjisë’. Merreni me mend, një person i vetëm, i shkencave politike është  këshilltari më i rëndësishëm i GEN-it të Beogradit dhe i merr paratë nga ata dhe nuk e dimë pse”- është shprehur Selmanaj.

Ambasadori Berishaj, është diskutuar në mediat sllovene nën dyshimin se ka transferuar një shumë të parave tek një kompani private në Mal të Zi.

Berishaj, ka mohuar akuzat për përfshirje në skandalin financiar që u zbulua në Slloveni, ku u raportua se ai i ka ka bartur para kesh rreth 600 mijë euro nga kompania e tij në Mal të Zi tek politikani slloven.

Martin Berishaj është emëruar ambasador i Kosovës në Kroaci në vitin 2021.