Kurti: Pse jeni obsesionuar nëse kam ndryshuar ose jo?

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti në një intervistë në emisionin “Debat plus” të RTV Dukagjini ka pyetur se përse janë obsesinonuar njerëzit nëse ai ka ndryshuar.

Kurti ka kërkuar që të shikohen rezultatet e qeverisjes së tij.

“Pse jeni të obsesionuar me faktin nëse kryeministri ka ndryshuar ose jo? Shikoni rezultatet e qeverisjes. Koncepti dhe qëllimi është i njëjtë, por strategjia ka ndryshuar. Tani kam trashëguar një situatë me të cilën duhet të merrem në mënyrën më të mirë të mundshme”- u shpreh Kurti.

Kurti u pyet nëse do e përkrahte marrëveshjen e Ohrit po të ishte në opozitë. Ai tha se marrëveshja nuk është e shkëlqyeshme, por është mundësi për të ecur përpara.

“Nëse e lexoni marrëveshjen bazë e shihni se aty e kemi pranimin de facto të Kosovës nga ana e Serbisë. Kjo nuk është marrëveshje e shkëlqyeshme, por nuk e cenon fare mundësinë për të ecur përpara”- shtoi Kurti.

“Nuk do doja që ta interpretoja si mungesë të marrëveshjes vetëm pse nuk ka nënshkrim nga ana e Serbisë. Nuk është në rregull të thuhet se nuk ka marrëveshje”- shtoi tutje ai.

Kryeministri foli edhe për ambasadorin e Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, i cili ka kallëzim penal për mosdeklarim të pasurisë.

Sipas kryeministrit, për këtë rast po bëhet fushatë e egër ku brenda është edhe Serbia.

“Ai e ka dhënë sqarimin e tij dhe po pret përfundimin e procesit, në këtë fushatë të egër që është zhvilluar kundër Martin Berishajt në Kosovë dhe Serbi dhe në anën tjetër në Slloveni. Kryeministri aktual në Slloveni e ka quajtur shpifje. Kjo është një fushatë e madhe që po zhvillohet e ku është edhe Serbia brenda”- tha Kurti.

Kryeministri Albin Kurti në disa pyetje nga ana e qytetarëve u pyet edhe për ndjenjën e të voziturit me eskortë e xhipa të zinj, që në opozitë i kritikonte.

“Nuk është ndjenjë e mirë. Unë as nuk i kam qejf xhipat, as të zi, as të bardhë, por është protokolli i sigurisë. Nëse unë do kërkoja që të lirohem nga ky protokoll, atëherë do duhej çdoherë një krah letra të nënshkruaj që të liroj nga përgjegjësia zyrtarë të caktuar”- ka thënë kryeministri Kurti.