Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Cili ishte buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes në 6 vitet e fundit?

Qeveria e Kosovës ka themeluar “Fondin e Sigurisë” dhe tani po kërkon nga qytetarët që të dërgojnë para në këtë fond.

Sipas qeverisë këto mjete synohen të përdorën në përputhje me strategjinë e sigurisë shtetërore të Republikës së Kosovës e cila ende nuk është hartuar.

Në arsyetimin e tij, kryeministri Kurti thotë se deri te vendimi për themelimin e këtij fondi e ka shtyrë situata aktuale dhe nevojat e Forcave të Armatosura të Kosovës.

Në pesë vitet e fundit, qeveritë e Kosovës vazhdimisht kanë rritur buxhetin për Ministrinë e Mbrojtjes, përkatësisht për nevojat e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Në vitin 2017, kur Forca e Sigurisë së Kosovës ende nuk ishte bërë ushtri, buxheti i Ministrisë së FSK-së ishte 51 milionë euro. Në këë kohë, kryeministër ishte Isa Mustafa.

Në vitin 2018, në Kosovë kishte ardhë një qeveri e re. Ramush Haradinaj ishte bërë kryeministër për herë të dytë në karrierën e tij politike.

Ndonëse buxheti për ministrinë e FSK-së në atë kohë ishte rritur, ajo megjithatë kishte qenë e vogël, duke u ngritur vetëm për rreth 2 milionë euro më shumë. Buxheti për vitin 2018 për ministrinë e FSK-së kishte qenë 53,667,393 euro.

Kosova ishte bërë me ushtri, kur Kuvendi i Kosovës më 14 dhjetor 2018 votoi 3 ligje që do të ndërronin mandatin e FSK-së në taman ushtri.

Ligjet që u miratuan janë, Projektligji për Ministrinë e Mbrojtjes, Projektligji për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe Projektligji për shërbim në Forcën e Sigurisë së Kosovës.

Ndoënse mandati i FSK-së pësoi disa ndryshime, ndryshimi në buxheti ishte i vogël në raport me nevojat e një ushtrie të re.

Në vitin 2019, për Ministrinë e Mbrojtjes ishin ndarë 58 milionë euro buxhet.

Në vitin 2020, Kosova kishte ndërruar dy qeveri, atë Kurti 1 dhe qeverinë Hoti. Mirëpo në të dy rastet kjo ministri ishte drejtuar nga ministri i LDK-së, Anton Quni.

Buxheti për Ministrinë e Mbrojtjes së Kosovës për vitin 2020 ka qenë 69 milionë euro.

Ndërsa një vit më vonë, buxheti për Ministrinë e Mbrojtjes së Kosovës ishte zvogëluar në për rreth 2 milionë euro, duke rënë në 67 milionë euro.

Buxheti më i madh i ndarë ndonjëherë për Ministrinë e Mbrojtjes u vendosë këtë viti. Buxheti për Ministrinë e Mbrojtjes së Kosovës për Kosovën për vitin 2022 është 102,305,450 euro.