Ilustrim

Cilat ishin pandemitë më të mëdha në histori?

Një pandemi ndodh kur një virus i gripit, i cili nuk qarkullonte më parë tek njerëzit dhe ndaj të cilit shumica e njerëzve nuk kanë imunitet, del dhe transmetohet midis njerëzve. Këto viruse mund të shfaqen, të qarkullojnë dhe të shkaktojnë shpërthime të mëdha jashtë sezonit normal të gripit, thuhet në një dokument të Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Pasi që shumica e popullatës nuk ka imunitet ndaj këtyre viruseve, përqindja e personave në një popullate, të cilat mund të infektohen mund të jetë mjaft i madh. Disa pandemi mund të rezultojnë në infeksione të rënda ndërsa të tjerët do të rezultojnë në një numër të madh të infeksioneve më të buta, por arsyet e këtyre dallimeve nuk janë kuptuar plotësisht.

Pandemia më famëkeqe për të cilën ekzistojnë të dhëna ishte “Gripi Spanjoll” në 1918-1919 i cili shkaktoi  20-50 milionë vdekje në të gjithë botën. Pandemitë pasuese në 1957 dhe 1968 rezultuan në shumë më pak vdekje, pavarësisht se një pjesë e madhe e popullsisë së botës janë të ndjeshme ndaj infeksioneve.

Në vitin 2009 u shfaq një virus i gripit A (H1N1) i cili nuk ishte parë ndonjëherë më parë, u përhap në të gjithë botën dhe shkaktoi pandeminë H1N1 2009. Kjo pandemi A (H1N1) 2009 qarkulloi gjerësisht në të gjithë globin që nga viti 2009, dhe tani është i vendosur në njerëz si një virus i gripit sezonal.

Së fundmi, Organizata Botërore e Shëndetësisë ka shpallur shpërthimin e coronavirusit si pandemi.

Në Kosovë, momentalisht janë të prekur 13 persona nga kjo pandemi ndërsa në nivel global shifrat kanë prekur milionat.

Për dallim nga vendi ku doli ky virus (Wuhan-Kinë), tashmë Evropa është bërë epiqendër me më shumë të prekur se në Kinë.

Italia është vendi i cili ka më shumë të prekur e të vdekur deri më tash.

Po çfarë është pandemia?

Ky është përkufizimi i OBSH-së:

Pandemia është një përhapje e një sëmundjeje të re në shkallë botërore.

Një pandemi gripi ndodh kur një virus i ri gripi shfaqet dhe përhapet nëpër botë ndërkohë që shumica e njerëzve nuk kanë imunitet prej tij. Viruset që kanë shkaktuar pandemi në të shkuarën zakonisht kanë pasur origjinë nga gripet e kafshëve.

Disa aspekte të pandemisë së gripit mund të jenë të ngjashme me gripin sezonal ndërsa karakteristikat e tjera mund të jenë shumë të ndryshme. Për shembull, si gripi sezonal ashtu edhe ai pandemik mund të shkaktojë infeksione në të gjitha grupmoshat dhe shumica e rasteve do të rezultojë në sëmundje të kufizuara në të cilat personi merr veten plotësisht pa trajtim mjekësor. Por nga ana tjetër, zakonisht gripi sezonal shkakton shumicën e vdekjeve mes të moshuarve ndërsa raste të tjera të rënda ndodhin më së shumti mes njerëzve me kushte të tjera mjekësore.

Ndryshe nga kjo, pandemia H1N1 shkaktoi sëmundje më të rëndë dhe më fatale mes më të rinjve, si mes atyre me kushte të tjera kronike ashtu edhe mes personave të shëndetshëm dhe shkaktoi më shumë raste pneumonie virale se sa shikohet zakonisht në gripin sezonal.

Si për gripin sezonal ashtu edhe për atë pandemik, numri total i njerëzve që sëmuren rëndë mund të jetë i ndryshëm. Gjithsesi, impakti apo rëndesa ka tendencë të jetë më e lartë te pandemitë, pjesërisht për shkak se një numër shumë më i madh njerëzish nuk ka imunitet paraprak ndaj virusit të ri. Kur një pjesë e madhe e popullsisë infektohet, edhe nëse pjesa e atyre që infektohen dhe që zhvillojnë sëmundje të rëndë është e vogël, sërish rastet e rënda mund të jenë në numër të madh.

Si për gripin sezonal ashtu edhe për atë pandemik, kulmi pritet të ndodhë në sezonin e zakonshëm të gripit. (Në zonat me klimë të ftohtë kjo zakonisht ndodh në muajt e dimrit). Por siç kemi parë me pandeminë H1N1, pandemitë mund të kenë tipare të pazakonta epidemiologjike dhe shpërthime të mëdha mund të ndodhin edhe në muajt e verës.