Çanta me 8 pistoleta dërgohet në agjension turistik në Pejë, Policia arreston dy persona

Policia në Pejë ka arrestuar dy persona nën dyshimin se kishin lënë një çantë me armë tek një agjension turistik për transport në Gjermani.

Sipas policisë, pronari i agjencisë kishte hapur çantën në prezencë të personave dhe menjëherë ka lajmëruar policinë.

“Më datë 04.10.2023, rreth orës 06:30, policia është njoftuar nga pronari i një agjencie turistike se ka pranuar një çantë nga dy qytetarë për ta transportuar në Gjermani me autobus, i njëjti e ka hapur çantën në prezencën e personave të cilët e kishin sjellë çantën. Me të hapur çantën pronari i agjensionit e ka vërejtur se aty kishte një armë. I njëjti menjëherë ka lajmëruar policinë, me të vërejtur se dëshmitari është duke lajmëruar policinë njëri nga të dyshuarit ka ikur nga vendi i ngjarjes”- thuhet në njoftim.

Njësitet relevante të Stacionit Policor Klinë, menjëherë kanë dalë në vendngjarje ku ka arrestuar njërin nga të dyshuarit.

Tutje, në njoftim bëhet e ditur se gjatë kontrollit në çantë janë gjetur dhe sekuestruar: Tetë armë pistoleta Zoraki 7.65mm, tetë karikator të armëve Zoraki, njëmbëdhjetë fishekë kal: 7.65mm dhe, dhjetë fishekë 6.35mm.

Lidhur me rastin është njoftuar prokurori, i cili ka urdhëruar që të bëhet kontrolli i shtëpive të personave të dyshuar.

“Pas bastisjes në shtëpitë e të dyshuarve nuk është gjetur diçka e dyshimtë, mirëpo është arrestuar edhe personi i dytë”- thuhet tutje në njoftim.

Pas intervistimit nga hetuesit, të dyshuarit me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje për 48 orë.

Policia këtë rast po e trajton si “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse”.