Caktimi i WACC, bordi i ZRrE-së përball argumenteve të ekspertit financiar në Komisionin Parlamentar

Komisionin për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti e ka ftuar për raportim ekspertin e Financave, Florin Aliu pas analizës së tij të prezantuar për herë të parë në DebatPernime e cila thotë se Zyra e Rregullatorit ka bërë gabime gjatë caktimit të një prej parametrave që ndikon në lartësin e tarifave të energjisë.

Në këtë takim të komisionit parlamentar janë ftuar edhe anëtarët e bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë.

Një ndër pretendimet kryesore të Aliut ishte se ZRrE-ja ka caktuar në mënyrë ‘paushalle’ dhe në një formulë që nuk është standarde për caktimin e Kostos Mesatare e Ponderuar e Kapitalit (WACC), e cila një nga përcaktuesit kryesorë të rrezikut të kompanisë dhe që ndikon edhe në lartësin e tarifave. 

Aliu ka thënë se nëpër raportet e ZRRE-së nuk janë hasur shpjegime të mjaftueshme për caktimin e lartësisë së WACC-së. Një nga parametrat që ndikon në caktimin e WACC është kostoja e ekuitetit, që në Kosovë gjendet përmes metodës që njihet si “Modeli i Çmimeve të Aseteve Kapitale (CAPM)”.

“Problemi fillestar është se ZRRE e konsideron modelin CAPM si një ekuacion me një të panjohur ku e panjohura është CAPM, ndërsa elementet e tjera janë përcaktuar në mënyrë paushalle. Por kjo është gabim. CAPM nuk është një ekuacion matematikor me një të panjohur, por është model kompleks që kërkon matje shkencore për secilin prej tregueve, siç janë: instrumentet pa rrezik (rfr), koeficientin beta (B) dhe kthimet e tregut (Rm)”, ka thënë ndër të tjera Aliu, para komisionit parlamentar.

Kryesuesi i Bordit të ZRrE-së, Ymer Fejzullahu në lidhje me matjen e rrezikut të riskut të kompanive KOSTT dhe KEDS, tha se është bazuar në praktikat ndërkombëtare të rregullatorëve, pasi në Kosovë nuk ka të dhëna të tregut të kapitalit të kompanive.

“Prej 20 vendeve ku jemi ne anëtarë të ERA-s, 18 prej tyre e përdorin metodën e njejtë. Sa i përket kësaj metodologjie, që është gjerësisht e përdorur, asnjë koment nuk e kemi pasur, as në vitin 2011 e as në vitin 2017”.

Ai ka pretenduar se formula e aplikuar nga ZRrE-ja është e saktë dhe nuk është gabim, siç pretendon Aliu.

“U përmend se formula është gabim. Formula është e njëjta, sikur e qet A, B apo C sikur që do e formulon, ekzaktësisht formula është e njejtë, edhe atë që e ka përmendur zotëriu edhe atë që ne e kemi përdorur, ka qenë njejtë, zero ndryshim ka. Prandaj, është një dezinformim i publikut. Formula e cila është përdor nga ZRrE-ja edhe formula që ky e përmend, është e njejtë. Nëse e merrni raportin e ERA-s, në faqe 68, ekzaktësisht të njëjtat shkurtesa, e njëjta formulë është e përdorur”, tha Fejzullahu.

Ndërsa Florin Aliu, eksperti financiar, tha se ZRrE-ja vetëm ka zëvendësuar numrat, e nuk ka testuar asnjë formulë.

“E kemi faqen 8 të Raportit të ZRrE. Këtu vetëm janë zëvendësuar numrat, nuk është testu asgjë. Krejt kjo formulë, tatime në Kosovë mbi fitimin e korporatave është 10%. Krejt kjo formul është pjestu me 0.9”, tha ai duket shtuar se në raportin e Rregullatorëve të Europës shihet që asnje vend nuk e pjeston më taksën, pra nuk e heq taksën me rastin e caktimit të CAPM-së.

Por, kjo është kundërshtuar nga udhëheqësi i departamentit të tarifave në ZRrE, i cili tha se “premia e rriskut të tregut, paraqet diferencën në mes të kthimit të tregut të aksioneve dhe normës, pa risk” duke shtuar se formulaa e Aliut dhe ajo e ZRRE-së janë të njëjta. 

“Sa i përket taksës të përfshirë në këtë llogaritje, ka dy metoda me të cilat kalkulohet. Metoda e parë mund të bëhet përmes trajtmit eksplicit. Kjo nënkupton, norma për tatim, taksa që rezluton aplikimi i kësaj norme, mund të përfshihen në mënyrë eksplicite. Dhe metoda e dytë është kalkulohet VAT paratatimor. 18 nga 20 regullatorët e përdorin këtë qasje. Nënkupton kompensim për operatorët e rregulluar”.

Sipas tij, meqenëse janë segmente të rregulluara, deri më tani KOSTT është financuar në kapitalin e borgjit të vet, përmes huadhënieve dhe bankave zhvillimore dhe jo përmes bankave komerciale.

“Në mungesë të tregut të kapitalit, beta është referencu në mes të 0.75 dhe 1. Kjo është praktikë e përdorur nga rregullatorët evropianë. Për më tepër ku folim për monopolet natyrore, kur nuk ka konkurencë”.

Ndërsa Aliu u përgjigj, duke thënë se nëse zgjedh një model për ta përdorur, nuk munet me i shtu variable të tjera.

“Formula në faqe 6, raporti konsultativ shkruan 1- taksa. Modelit nuk mundësh me i shtu variable, sepse modeli është testu dhe vërtetu në këtë formë. Unë po pyes si është e mundur që të dy kompanitë kanë të njëjtën beta-koeficient, kanë të njejtën kosto mesatare të ponderuar të kapitalit”, tha Aliu duke ju referuar raporteve të ZRRE-së që thonë se KOSTT dhe KEDS kanë nivelin e njëjtë të WACC-së.

Edhe deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, që edhe pse nuk është anëtare e këtij Komisioni, mori pjesë në këtë mbledhje, ngriti të njëjtin shqetësim.

“Nga deklaratat e juaja z.Fejzullahu ne nuk morëm përgjigje sot. Nëse Kostoja mesatare e ponderuar e kapitalit del 8.3% për dy kompani krejtësisht të ndryshme, këtu ka shumë për të dyshuar. Na jepni përgjigje këtu. Pavarësisht se kjo cështje është vendosë në vitin 2017, unë mendoj se është cështje jashtëzakonisht e nxehtë tani, që i keni apliku tarifat e reja”, tha Bajrami.

Udhëheqësi i Departamentit të Tarifave, Ymer Rudari ka thënë se caktimi i WACC së njëjtë për dy kompanitë është bërë meqë të dy kompanitë operojnë në ambientin e njëjtë dhe se janë në tregun e rregulluar.

Tutje, eksperti Aliu tha se ZRrE-ja është dashur që të shpjegojë se si është arritur tek shifra e kalkulimit 0.75, përveç se çfarë metodologje është përdorur.

“Koeficenti beta, nuk është tregues që vendosen kështu, vetëm e kemi marrë. Ti duhesh me e shpjegu se është 0.75. Pse nuk është 0.60. Beta koeficienti nuk matet me kovariancë, kovarianca është numër që shkon në 200, 300. Matet përmes modelit të regresionit. Ju është dashur që të merrni mostrat e kompanive që i përafrohen madhësisë të këtyre dy kompanive. Nuk munden me u konë dy kompani me të njejtën WACC”, tha ai.

Edhe deputetja Jeta Statovci pyeti edhe njëherë ZRrE-në, se në bazë të mungesës së të dhënave të tregut të kapitalit, çfarë metodologjie është përdorur, për të arritur te vlera që janë vlerësuar operatorët. 

Udhëheqësi i departamentit të tarifave, u përgjigj duke thënë se koeficienti beta është vlerësuar duke u bazuar tek precedentët rregullatorë.

“Domethënë kjo lehtësisht gjindet. Ngjashëm domethënë beta vlerësohet nga të dhënat e  tregut. Duke pasur parasyshs mungesën e të dhënave specifike në Kosovë për tregun e kapitalit, ZRre ka ndjekur të njëjten qasje sikurse në rastin e NRP-së, për nxjerrjen e saj, bazuar në precedentët rregullatorë, si vlera më e besueshme, për mungesë të tregut të kapitalit”.

Florin Aliu, i cili ka doktoruar në fushën e vlerësimit të bizneseve në ‘Tomas Bata University’ në Zin të Çekisë dhe që aktualisht ligjëron lëndën e tregjeve financiare në UBT, ka shkruar një raport në bazë të të cilit pretendon se ZRrE-ja ka gabuar në metodën e vlerësimit të të hyrave dhe të kapitalit të operatorëve të licencuar në tregun e energjisë. Raportin e Aliut mund ta lexoni KËTU.