Buxheti 2020, projektet që do të financohen në Komunën e Prishtinës

Në orët e hershme të mëngjesit të së dielës, Kuvendi i  Kosovës me 63 vota pro, miratoi Buxhetin e Kosovës për vitin 2020.

Në total, buxheti i këtij viti është 2 miliardë e 357 milionë euro.

Qeveria e Kosovës e udhëhequr nga Albin Kurti, për vitin 2020 ka paraparë investime nga buxheti qendror për Komunën e Prishtinës rreth 74 milionë euro.

Kurse, buxheti i Komunës së Prishtinës për vitin 2020 është rreth 90 milionë euro.

Gjithsej 28 projekte janë paraparë për Komunën e Prishtinës, nga niveli qendror, kurse shumica e projekteve janë të bartura nga viti i kaluar.

Investimet në infrastrukturën rrugore

Nga 28 projekte sa janë parashikuar për vitin 2020 në Komunën e Prishtinës, dhjetë prej tyre kanë të bëjnë më infrastrukturën rrugore.

18 milionë euro janë ndarë për zgjerimin dhe rehabilitimin e rrugës Magjistrale Prishtinë-Mitrovicë dhe 500 mijë euro për zgjerimin dhe rehabilitimin e rrugës Magjistrale M9, Prishtinë-Pejë.

Ndërtimi i rrugës Prishtinë – Podujevë, 6 milionë euro, projekt i vazhduar nga buxheti i 2019.

Ndërtimi i rrethrrotullimeve në rrugën nacionale Prishtinë-Ferizajm në rrugën rajonale Lipjan – Gadime dhe në rrugën nacionale Prishtinë – Lipjan (te burgu), 315 mijë euro.

Ndërtimi i rrugës A në Komunën e Prishtinës, 1 milion euro. Ndërtimi i rrethrrotullimit në rrugën magjistrale Prishtinë – Mitrovicë(M2), në fshatin Pestovë, në vlerë prej 50 mijë eruove, projekt i vazhduar nga buxheti 2019. Po ashtu 50 mijë për ndërtimin e rrethrrotullimit në magjistralen Prishtinë – Mitrovicë (M2), në fshatin Smerkonicë.

Autostrada Prishtinë – Hani i Elezit (R6), në vlerë prej 9.8 milionë eurove, po ashtu projekt i vazhduar nga 2019.

Rruga nacionale Prishtinë – Gjulan – Konqul, në vlerë prej 12.2 milionë eurove.

Dhe zgjerimi dhe rehabilitimi i rrugës magjistrale M9 Prishtinë – Pejë, në vlerë të 17 milionë eurove, gjithashtu vazhdim nga 2019.

Investimet në Arsim

7.9 milionë euro shpenzime kapitale janë paraparë për Universitetin e Prishtinës, për vitin 2020, ku nga kjo shumë, 4.1 milion janë shtesë nga buxheti i këtij viti, ndërsa shuma tjetër prej 3.8 milionë eurove është bartur nga buxheti i vitit 2019.

Investimet në Shëndetësi

Qeveria e Albin Kurtit ka planifikuar të investojë 1 milion euro, në sektorin e shëndetësisë në Komunën e Prishtinës.

Projekti dhe ndërtimi i Spitalit të Prishtinës është i vetmi projekt për këtë komunë dhe është projekt i bartur nga buxheti i vitit 2019.

Kultura

100 mijë euro në total janë parashikuar për tu investuar në Komunën e Prishtinës në sektorin e kulturës.

20 mijë euro janë ndarë për ‘Shtëpinë e Herticeve’, e cila njihet si shtëpia ku shumë gjenerata janë shkolluar në kohën e regjimit serb.

Qendra Historike e Prishtinës, 50 mijë euro. Restaurimi i Shtëpisë së Adem Demaçit në Prishtinë, 20 mijë euro.

Ngritja e shtatores së Anton Çetës, 10 mijë euro.

Të gjitha këto projekte në kulturë, janë të bartura nga buxheti i vitit të kaluar.

Sporti

Në sektorin e sportit në Komunën e Prishtinës janë parashikuar rreth 366 mijë euro.

Është parashikuar renovimi i Stadiumit të Qytetit, 116 mijë euro.

Shtatorja dhe Parku ‘Fadil Vokrri’, 50 mijë euro.

Dhe ndërtimi i Qendrës Nacionale të Tenisit, 200 mijë euro.

Investime të tjera

Në buxhetin për vitin 2020 janë parashikuar edhe investime tjera për Komunën e Prishtinës, si memoriale , shtatore e rregullime të varrezave.

150 mijë euro janë ndarë për tri shtëpi banimi.

100 mijë euro për Kompleksin Memorial ‘Ibrahim Rugova’ në Velani. Ngritja e shtatores së Anton Çetës, 10 mijë euro. Rregullimi i varrezave të dëshmorëve në Marevc, 10 mijë euro.

Ndërtimi i Objektit të DPD-së, 100 mijë euro.

Lapidari i Dëshmorit ‘Hyzri Talla’, 10 mijë euro.

Dhe Impianti për ujëra të zeza në Prishtinë, 3 milionë euro.