Burokratizimi i monitorimit të Bordit të RTK-së 

Në mbledhjen e së enjtes, më 24 gusht 2023, Bordi i Radiotelevizionit të Kosovës (RTK) diskutoi dhe shqyrtoi rregulloren e punës, me ç’rast u diskutua edhe çështja e monitorimit të mbledhjeve nga palët e interesuara.

Pika më kontraverse e kësaj rregulloreje është propozimi që të zyrtarizohet  mbyllja e mbledhjeve të Bordit të RTK-së për monitorim, nën arsyetimin e përgjithshëm që “të ruhen të dhënat personale dhe të dhëna të ndjeshme” që po parashihet me këtë rregullore. 

Mbyllja e mbledhjeve të Bordit

Sipas draft-rregullores, disa mbledhje të Bordit të RTK-së mund të jenë të mbyllura për monitorim. Në këto raste, rregullorja e re parasheh që palët do të njoftohen me kohë.

“Mbledhjet fizike të Bordit janë të hapura për monitorim nga palët e interesuara, përveç rasteve kur për shkak të mbrojtjes së informacionit për të dhëna personale dhe të dhënave tjera të ndjeshme Bordi-vendos t’i mbyllë ato në tërësi apo në pika të caktuara të agjendës” – thuhet në njërën prej pikave të nenit në draft-rregulloren që rregullon monitorimin e mbledhjeve të Bordit të RTK-së, e cila u prezantua më 24 gusht 2023.

Juristi Kreshnik Gashi, i cili ka qenë pjesë e grupeve punuese për një varg ligjesh e rregulloresh të cilat prekin transparencën e institucioneve, ka vërejtur disa probleme me draftin e kësaj rregulloreje. 

Gashi në nisje e përmend si hap prapa gjuhën të cilën kjo rregullore e përdorë e që është në kundërshtim me nenin 38 të ligjit të RTK-së, e po ashtu tentativën për të cenzuruar mbledhjet jo fizike të Bordit. 

 “Shpresoj që para miratimit Bordi ta vendosë në konsultim publik atë dokument ashtu siç e dojnë procedurat dhe të kemi mundësi të ofrojmë komente mbi secilin nen”, tha Gashi.

“Problemi i parë është se Bordi duhet të potencojë që mbledhjet janë publike ashtu siç e njeh neni 38 i ligjit e jo të shkoj me koncepte të cilat e ngushtojnë publicitetin vetëm në monitorim dhe atë vetëm për mbledhjet fizike. Kufizimi vetëm në monitorim është kthim mbrapa prej asaj që e garanton neni 38”, thotë Gashi.

Përpos gjuhës së përdorur Gashi sheh edhe probleme serioze në zbraztirat dhe arbitrarizmin që mund t’i jepet Bordit për ta mbyllur mbledhjen për publikun.

Ky nen është i paqartë dhe paraqet rrezik që të keqpërdoret. Rregullorja duhet të parasheh proceduren e mbylljes se mbledhjes se Bordit dhe situatat konkrete kur mbledhja mbyllet e jo të mbetet diskrecion i çdokujt sipas tekeve të vendosë ose jo ta mbyllë mbledhjen. Bordi duhet me marrë vendim me e mbyllë mbledhjen me vota dhe me vendim të arsyetuar. Nëse një vendim i tillë nuk bëhet atëherë mbledhja duhet të jetë e hapur”, tha Kreshnik Gashi, redaktor menaxhues i Kallxo.com.

Më 23 shkurt 2023, Bordi i RTK-së kishte mbyllur mbledhjen për monitorim kur pika e rendit të ditës erdhi rreth shpenzimit të parasë nga RTK në proceset e prokurimit publik.

Atë kohë, kryetari i Bordit të RTK-së, Besnik Boletini kishte dhënë arsyen se pjesa tjetër e mbledhjes nuk paraqet interes publik për monitorim.

Në një përgjigje me shkrim për KALLXO.com, kryetari i Bordit të RTK-së ka shpjeguar procedurat të cilat do të rregullohen për monitorimin e mbledhjeve të Bordit të televizionit publik.

Ai tha se deri më tani janë vetëm diskutime dhe rregullorja e re është ende vetëm draft.

Rregullorja në fjalë ekziston qe disa vite dhe ne jemi duke e plotësuar/ndryshuar. Aktualisht jemi në fazën ku secili anëtar bën propozimet e tij/saj dhe diskutohet mbi to. Pra çdo gjë është draft/ide. Çeshtja e monitorimit nuk ka qenë fare e përfshirë, ne e kemi vendosur si praktikë, tani po e formalizojmë” – tha Boletini.

Doarsa Kica, deputetja nga Grupi Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, e cila e mbikëqyri procesin e përzgjedhjes së anëtarëve të Bordit të RTK-së tha që “mbledhjet e Bordit të Radio Televizionit të Kosovës, si medie e vetme publike në Kosovë, duhet të mbesin gjithmonë të hapura për monitorim”.

“Në qoftë se RTK do të aprovonte ndonjë Rregullore të Bordit që përcakton formën e monitorimit të mbledhjeve të saj, atëherë çdo rregullim duhet t’i shërbej fuqizimit të deritanishëm të transparencës por kurrsesi të bënte regres në këtë drejtim”, shtoi ajo.

Në anën tjetër, Visar Korenica, deputet i Vetëvendosjes që ka kërkuar llogari prej krerëve të RTK-së në ballafaqimet nga Komisioni për Buxhet dhe Financa shkoi edhe një hap më tutje duke kërkuar jo vetëm monitorim të mbledhjeve të Bordit të RTK-së por transmetim televiziv të tyre.

“Monitorimi është e drejtë që nuk ishte dasht me u burokratizu, por me u lehtësu” – vlerëson deputeti Visar Korenica.

“Monitorimi duhet të ndodh në të njejtin nivel si ndodh në Parlament. Unë bile do shkoja një hap tutje, m`u se është fjala për Bordin e një medie, RTK do duhej të lejojë edhe xhirimin e mbledhjeve të Bordit, lëre më t’i shkojë mendja ta kufizojë monitorimin apo t’i përjashtojë monitoruesit”, ka thënë Korenica.

Lidhur me xhirimin e mbledhjeve gazetari Kreshnik Gashi shpjegoi se monitoruesit e gazetarët e bëjnë monitorimin pikërisht për ta informuar publikun, andaj ato duhet të hapen jo vetëm për monitorues por për publikun.

“Mbledhjet duhet të jenë të hapura për publikun jo vetëm për monitorues. E gjithë rregullativa e mbledhjeve duhet të synojë si të informohet publiku çka po ndodh në televizionin publik, jo vetëm si të informohet monitoruesi” – tha Gashi.

“Standardi i transparencës nënkupton që publiku duhet të ketë çasje në mbledhje, pra jo vetëm monitoruesi t’i shoh mbledhjet por qytetari dhe publiku, pra mbledhjet duhet të jenë të hapura për gazetarë dhe kamera në mënyrë që të përfshihet transmetimi live dhe transmetimet tjera” – shtoi Gashi.

Burokratizimi i monitorimit të mbledhjeve duke detyruar palët të parashtrojnë kërkesë për monitorim 

Sipas draft-rregullores, e cila ende nuk është votuar dhe nuk ka hy në fuqi, njoftimi për monitorim të mbledhjeve të rregullta të Bordit të RTK-së do të bëhet ditën kur ftohen të gjithë anëtarët për mbledhje, nëpërmjet ueb-faqes së RTK-së, në seksionin Bordi i RTK-së tek “Njoftime”.

Pas njoftimit, palët e interesuara janë të obliguara që të njoftojnë sekretariatin e Bordit të RTK-së së paku 24 orë më herët.

Mbledhja e fundit e Bordit të RTK-së u mbajt të enjten prej orës 10:00, më 24 gusht. Ndërsa, njoftimi për të në ueb-faqe të RTK-së u bë ditën paraprake, të mërkurën në mbrëmje, tek në orën 21:33.

Kjo ka ndodhur edhe me disa mbledhje të fundit që i ka mbajtur Bordi i RTK-së. Njoftimi për mbledhjen e 3 korrikut që mbahej në 17:15 u publikua në 10:17 po të njëjtën ditë. Ndërsa për mbledhjen e 16 qershorit që filloi në 17:15 njoftimi që po mbahej mbledhja u publikua gati një orë pasi që kishte filluar mbledhja, në 18:05.

Verifikimi i kohës së publikuar është bërë përmes dokumenteve që janë publikuar në ueb-faqe të RTK-së, ku figuron edhe data e publikimit tek secili dokument/njoftim për mbledhje të Bordit të RTK-së, përfshirë edhe atë të fundit të datës 23 gusht 2023.

Për të gjitha nëntë mbledhjet e Bordit të RTK-së që janë mbajtur prej datës 11 maj 2023 deri më 10 gusht 2023, Bordi i RTK-së i ka publikuar njoftimet në ditën kur janë mbajtur mbledhjet, duke ofruar shpesh më pak se 12 orë paralajmërim për palët e interesuara për monitorim të mbledhjeve.

KALLXO.com ka pyetur kryetarin e Bordit të RTK-së, se pse njoftimi për mbledhje nuk po bëhet më herët, si në të kaluarën, por në këtë formë.

“Edhe çështjet e ftesës, agjendës, njoftimit në ueb do të përcaktohen formalisht. Deri më tani ka qenë në vullnetin e lirë se kur do të dal dhe si të dërgohet ftesë. Prandaj ne do ta rregullojmë këtë aspekt”, tha Besnik Boletini më 26 gusht.

Ky bord nuk është vullnetar. Pagat e 11 anëtarëve të Bordit janë mbi 900 euro në muaj për përafërsisht 4-5 takime në muaj, gjë që i bën ndër bordet më të paguara në rajon.

Në bazë të draft-rregullores, obligimi që monitoruesi të lajmërojë 24 orë përpara që do të monitorojë mbledhjen, praktikë kjo që s’ka qenë deri tash, bëhet për shkak të “aspekteve logjistike, si sigurimi i hapësirave të mjaftueshme për qëndrimin e monitoruesve”. BIRN monitoron mbledhjet e Bordit të ShSKUK-së, ZRrE-së, KMP-së, etj. dhe asnjëna prej këtyre institucioneve publike të pavarura nuk kanë rregullore për monitorim. 

“Për shkak të organizimit logjistik të mbledhjes dhe sigurimit të hapësirës së nevojshme për monitoruesit, palët e interesuara për monitorim, pasi të marrin informatën në ueb-faqe për mbledhjen e radhës të Bordit, duhet të njoftojnë sekretarinë e Bordit për pjesëmarrje në monitorim së paku 24 orë para fillimit të mbledhjes (për mbledhjet e rregullta) ose para fillimit të mbledhjes (për mbledhjet e jashtëzakonshme)” – thuhej në draft-rregulloren e diskutuar nga Bordi i RTK-së më datë 24 gusht 2023.

Por, siç u cek më lartë, mbledhjet e Bordit të RTK-së me praktikën e deritashme nuk lajmërohen 24 orë përpara.

“Ne mund të kemi interesim për disa mbledhje kur ka vendime të rëndësishme, apo interesim të madh dhe në këtë aspekt duhet parë se si sistemohen monitoruesit për shkak të hapësirës. Prandaj aty vlerësohet edhe ndërrimi eventual i vendit të mbledhjes nëse ka interesim të madh” – tha kryetari i Bordit të RTK-së, Besnik Boletini.

Kreshnik Gashi, i cili njeh mirë këtë fushë, është i mendimit se një nen i tillë është jashtë standardeve të ndërtuara në Kosovë dhe i panevojshëm.

“Nëse merrni rregulloret e tjera të insitucioneve të tjera nuk do gjeni një obligim të tillë për të njoftuar paraprakisht. Këso rregullash nuk gjenden as në rregulloret e punës së KGJK-së as në rregulloret për transparencë të komunave as në rregulloret e kuvendit”, ka thënë Gashi 

Lidhur me njoftimin 24 orë përpara për monitorim, Doarsa Kica e LDK-së, tha se njoftimet për mbledhje nga ana e Bordit të televizionit publik, duhet të bëhën në një kohë të arsyeshme.

Nëse kërkohet konfirmim nga monitoruesit, atëherë njoftimet dhe agjenda për mbajtjen e mbledhjes së Bordit duhet të publikohet në afat të arsyeshëm, që do t’i lejonte palëve të interesuara për monitorim më së paku 24 orë kohë për konfirmim. Një dështim i tillë duhet ta shkarkoj edhe palën e interesuar nga çdo obligim për konfirmim të pjesëmarrjes” – ka thënë deputetja Kica.

Tutje, ajo tha se Bordi duhet të mendojë edhe për palët e interesuara që do të monitorojnë mbledhjet vazhdimisht.

“Në qoftë se një palë shpreh interesim për monitorim të vazhdueshëm, RTK duhet t’i ofrojë mundësinë që konfirmimi i njëhershëm të jetë i mjaftueshëm meqë tashmë ka pasur monitorues që kanë dëshmuar rregullësinë e monitorimit” – tha ajo.

Edhe deputeti Visar Korenica ka thënë se kërkesa për njoftim nga Bordi nga monituruesit 24 orë më herët, është e panevojshme.

“Nëse një monitorues do ta monitorojë një mbledhje të komisioneve parlamentare s’ka nevojë ta njoftojë Parlamentin, ai/ajo vetëm vjen në mbledhje dhe mund t’i monitorojë deputetët dhe punen e tyre” – thotë Korenica.

“Pse duhet RTK të ketë standard tjetër prej kësaj? Pikërisht pse Bordin e zgjedh Parlamenti, natyra e punës se Bordit do duhej të kishte praktika të ngjashme me atë që i mundësohet monitoruesit në mbledhjet e komisioneve tona ku diskutohet edhe per çeshtje shumë sensitive hapur dhe pa kërkesa paraprake për monitorim” – ka vlerësuar Visar Korenica.

Për gjithë këto pyetje të ngritura kryetari i Bordit të RTK-së tha se transparenca mbi televizionin publik, do të rritet.

“Nuk keni nevojë për t`u shqetesuar aspak, Bordi aktual që nga marrja e mandatit ka krijuar një praktikë transparente që nuk ka qenë më herët dhe sigurisht që do ta vazhdojë dhe përforcojë (këtë praktikë)” – deklaroi Boletini.

Diskutimet për çështjet tjera

Gjatë mbledhjes së fundit të Bordit të RTK-së u diskutua edhe për rregullimin e disa çështjeve të tjera, siç është krijimi i një sekretariati për Bordin e RTK-së, i cili aktualisht nuk ekziston.

Kjo, sipas diskutimeve të anëtarëve të Bordit të RTK-së, do t’i ndihmonte dhe lehtësonte punën Bordit. Pjesë e këtij sekretariati do të jetë edhe një asistent/e i/e cili/a do të kryente detyrat rreth njoftimeve dhe çështjeve të tjera logjistike dhe një zyrtar/e ligjor/e, që do t’i shkruante vendimet dhe do të ofronte këshilla juridike për Bordin e RTK-së.

Sipas draft-rregullores, rekrutimi i këtyre pozitiave do të bëhej nga Bordi me anë të thirrjes publike.

Gjatë mbledhjes, u diskutua edhe rregullimi i votimit në distancë nga ana e Bordit të RTK-së.

Me rregulloren e re, e cila ende nuk ka hyrë në fuqi, pritet që të përcaktohet edhe çështja e postimeve në rrjete sociale nga anëtarët e Bordit të RTK-së. Gjatë mbledhjes, u tha se anëtarët e Bordit nuk mund të bëjnë komente mbi zhvillime politike në vend, rajon dhe botë.

“Anëtarët e Bordit të RTK-së nuk duhet të bëjnë postime, shpërndarje, pëlqime lidhur me zhvillimet politike, polemikave politike ose temave të tjera të ndjeshme”  – thuhet në draft-rregulloren e re.