Foto: Bujar Dugolli, Facebook

Bujar Dugolli pretendon që e ka fituar gjyqin ndaj Baton Haxhiut dhe Jeton Musliut

Profesori universitar, Bujar Dugolli, po pretendon se e ka fituar gjyqin ndaj Baton Haxhiut dhe Jeton Musliut.

Dugolli i ka paditur Haxhiun e Musliun për shpifje pas dy shkrimeve të publikuara në Gazetën Express në vitin 2007.

“Objekt i theksuar i kësaj padie janë shkrimet shpifëse të datë: 22.09.2007, në gazetën Express me drejtor e autor Baton Haxhiu, shkrimi me titull ‘’Bujar Trump’’ dhe shkrimi tjetër, në po të njëjtën gazetë, me titull ‘’Ku i more Bujar 3 milion t’buta’’, me autor Jeton Musliun”, shkruan Dugolli.

Ai tha se shkrimet e tilla kanë ndodhur në prag të fushatës zgjedhore parlamentare. Sipas tij, qëllimi ka qenë dëmtimi shumëdimensional i imazhit.

“Duke qenë i sigurt dhe i pastër në punën time, unë dhe Avokati Gafurr Elshani filluam këtë betejë ligjore për të vërtetën, betejë e cila ishte shumë e mundimshme dhe mjaft sfiduese”, tha Dugolli.

“Unë zgjodha të mos vazhdoj karrierën politike me një imazh të lënduar publik si rezultat i shpifjeve të tilla, ndërsa përmes betejës për drejtësi, të dëshmoj të vërteten e pamohueshme, dhe shpifësit të marrin dënimin e merituar”, tha ai.

Profesori tha që drejtësia duhet të veprojë e paanshme dhe pa ndikime.

“Shembulli si ky duhet të jetë edhe si mesazh për gazetarinë e mirëfilltë dhe etikën gazetareske, që të mos përsëriten rastet e tillë, ndaj kujtdo qoftë”, shtoi më tutje.

Sipas aktgjykimit të Gjykatës së Prishtinës, të cilin Dugolli e ka publikuar në Facebook, është aprovuar pjesërisht kërkesë-padia e Dugollit.

Pika 2 e aktgjykimit thotë se detyrohen të paditurit Jeton Musliu e Baton Haxhiu që në emër të kompensimimt të dëmit jomaterial paditësit në mënyrë solidare t’ia paguajnë shumën prej 15 mijë euro, me kamatë ligjore prej 8 për qind në vit, e cila rrjedh nga dita e marrjes së këtij aktgjykimi e deri në pagesën e plotë, e të gjitha këto nëafat prej 15 ditësh pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.

Të paditurit detyrohen po ashtu që në mënyrë solidare t’ia kompensojnë shpenzimet kontestimore në vlerë 913 euro.

Ndërsa, është refuzuar si e pabazuar pjesa e kërkesëpadisë së paditësit përtej shumës së aprovuar, në lartësi prej 485 mijë euro.