Çerkini- Haxhiut: Po flet në dëm të atyre që nuk mund të flenë se kanë humbur familjarët

Në prag të Ditës së të Pagjeturve, familjarë të viktimave dhe vetë njerëz që kanë vuajtur dhe kanë pësuar nga krimet nga regjimi serb gjatë luftës së fundit,  janë përballur në opinion me deklarata për amnistinë e krimeve të luftës.

Ish-drejtori i Klan Kosovës, Baton Haxhiu duke folur për një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë ka thënë se një marrëveshje e tillë do të duhej t’i ketë 3 elemente: 1. Gjykata Speciale dhe zhbërja e saj, 2. Amnistia në të dy vendet, pasi që pas 20 vjetësh s’ka pse dënohen njerëzit, dhe 3. Definimi i veriut, çka duam me veriun.

Bajram Çerkini i cili që dy dekada është pritje për zbardhjen e fatit të djalit të tij të zhdukur, njëherësh edhe udhëheqës i Qendrës Burimore për Persona të Zhdukur në një prononcim për KALLXO.com ka reaguar ashpër ndaj këtij deklarimi, pasi që siç thotë, ai si qindra familjarë të tjerë vuajnë ende pas 20 viteve për fatin e të pagjeturve dhe humbjen e me të dashurve të tyre.

“Unë si familjar jam befasu më ato që kam dëgju nga ai, kam mendu që din diçka, por për që thotë ashtu, është dashur me e dënu menjëherë. Sepse kjo nuk është normal. Po mundohet të dijë më shumë se krejt Kosova, e mjerisht po flet në dëm të atyre që nuk munden të flenë. Nuk e di çfarë konkretisht ka dashtë me thanë se nuk jam i lexueshëm, por  kaq mundem me thanë së nuk është normal. Ne po shkelemi çdo ditë se nuk po zbardhet fati i të pagjeturve”, u shpreh ai.

Më 27 prill, sot, është organizuar një aksion simbolik në përvjetorin e të pagjeturve, me ç’rast Çerkinaj ftoi të gjithë qytetarët që të i bashkohen thirrjes që sonte, në orën 20:00, të fikin drita për dy minuta.

“Kërkoj nga të gjithë njerëzit që e ndjejnë se çfarë do të thotë të kesh të pagjetur të fikin dritat për dy minuta sonte në orën 20:00. Ne jemi tu jetu ashtu në errësirë qe 20 vite. Këtë organizim e kemi bërë të këtij lloji pasi që për shkak të situatës pandemike nuk mund të jemi fizikisht afër”, shtoi Çerkini.

Ndaj deklaratave të Baton Haxhiut ka reaguar edhe e mbijetuara e masakrës së Podujevës dhe deputetja e Lëvizjes së Vetëvendosje, Saranda Bogujevci  dhe e mbijetuara e dhunës seksuale gjatë luftës, Vasfije Krasniqi-Goodman.

Po ashtu, ndaj këtyre deklaratave ka reaguar edhe ish-ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati.

Ndërsa, deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi ka thënë të dielën për KALLXO.com se “duke e dëgjuar Baton Haxhiun e kuptojmë më mirë se çka në të vërtetë do presidenti Hashim Thaçi”.

Sipas Rexhep Selimit, kjo deklaratë e Baton Haxhiut është e njëjtë me atë kur, sipas tij, e hodhi në opinion projektin e shkëmbimit të territoreve.

Në terrin e të pagjeturve: Ndali dritat për 2 minuta më 27 prill