Këshilltari i Thaçit: 'Partizanët' e LVV-së po përdorin deklaratat e gazetarit për t'i dhënë konotacion shtetëror

Deklarata e gazetarit Baton Haxhiu në një debat televiziv në lidhje me amnistinë e krimeve të luftës të regjimit serb në Kosovë ka nxitur reagime të shumta.

“I kemi tri elemente që duhet t’i ketë marrëveshja, e para është Gjykata Speciale dhe zhbërja e saj, e dyta ka të bëj me amnistinë, në të dy vendet, se pas 20 vjetëve s’kanë çka dënohen njerëzit dhe e treta është definimi i Veriut, çka duam me Veriun, nuk ka probleme tjera me marrëveshjen”, kishte thënë Baton Haxhiu para dy ditëve në një emision në televizionin T7.

Por Adil Behramaj, këshilltari i presidentit, Hashim Thaçi ka akuzuar ‘partizanët’ e Lëvizjes Vetëvendosje se po përdorin deklaratat për t’i dhënë konotacion shtetëror.

“Ndërsa, këta partizanët e Vetëvendosjes, për t’i ikur turpit që i ka mbuluar po mundohen të gjejnë shpëtim edhe në deklaratat e analistëve/gazetarëve që e përfaqësojnë vetëm veten e tyre. Mjerisht, këtë po e bëjnë duke shpurdhur në mënyrë krejtësisht konspirative, me ndërlidhje të poshtra për t’u dhënë deklaratave të tyre edhe konotacion shtetëror”, ka shkruar Behramaj.

Behramaj ka thënë se asnjë ligj, në veçanti e drejta ndërkombëtare, nuk parasheh parashkrim të krimeve të luftës, sidomos për vrasjet, masakrat dhe gjenocidin.

Ndaj deklaratave të Baton Haxhiut ka reaguar edhe e mbijetuara e masakrës së Podujevës dhe deputetja e Lëvizjes së Vetëvendosje, Saranda Bogujevci  dhe e mbijetuara e dhunës seksuale gjatë luftës, Vasfije Krasniqi-Goodman.

Po ashtu edhe ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, kryministri në detyrë Albin Kurti, zëvendëskryeministri në detyrë Haki Abazi dhe të tjerë.

Më poshtë mund të lexoni postimin e plotë të Behramajt:

Gati çdo ditë i kujtojmë dhe nderojmë martirët, dëshmorët dhe heronjtë e popullit tonë. I kujtojmë dhe nderojmë të gjitha viktimat e luftës, duke ripërsëritur që si shtet nuk do të reshtim së kërkuari drejtësi deri sa kriminelët serbë të përgjigjen dhe të dënohen për krimet e tyre. Pandalshëm, po ashtu, i bëjmë thirrje edhe bashkësisë ndërkombëtare që të mos i amnistojë kriminelët serbë.

Ndërsa, këta partizanët e Vetëvendosjes, për t’i ikur turpit që i ka mbuluar po mundohen të gjejnë shpëtim edhe në deklaratat e analistëve/gazetarëve që e përfaqësojnë vetëm veten e tyre. Mjerisht, këtë po e bëjnë duke shpurdhur në mënyrë krejtësisht konspirative, me ndërlidhje të poshtra për t’u dhënë deklaratave të tyre edhe konotacion shtetëror.

Asnjë ligj, në veçanti e drejta ndërkombëtare, nuk parasheh parashkrim të krimeve të luftës, sidomos për vrasjet, masakrat dhe gjenocidin.

Nëse në të kaluarën keni arritur të krijoni kauza politike të rreme, sepse askush nuk është marrë me juve, më nuk ju lejojmë ta helmoni publikun me çorodinë e imagjinatës suaj. Nuk ju lejojmë të luani me dhimbjen e pashëruar të familjeve të atyre që dhanë gjithçka, që ju sot ta keni lirinë edhe të propagandoni kaq shumë paturpësisht!