Brikena Sopi pranoi çmimin ‘Katarina Josipi’ për vitin 2021

Dramaturgja Brikena Sopi është fituese e Çmimit të parë për Dramë Origjinale Shqipe “Katarina Josipi”, për vitin 2021. Këtë çmim ajo e mori për dramën “Hekurudha’.

Ceremonia e dorëzimit të çmimit për fituesen është mbajtur sot në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Fituesja e Çmimit të parë, “Katarina Josipi”, Brikena Sopi ka thënë se ky konkurs promovon dramën shqipe.

“Duhet të promovohet drama shqipe, pasi ne kemi autor të kësaj gjinie”, ka thënë ajo.

Ndërkaq, Doruntina Basha, kryetare e jurisë vlerësuese ka thënë se dy çmimet tjera nuk janë ndarë pasi sipas saj, nuk kishte prurje.

“Juria vlerësuese nuk ka ndarë dy çmimet tjera të këtij konkursi pasi ka vlerësuar se nuk ka pasur prurje të kënaqshme”, ka thënë Basha.

Duke ia dorëzuar çmimin fitueses, ministri i MKRS-së, Hajrulla Çeku ka thënë se juria vlerësuese ka bërë një punë të mirë gjatë këtij viti për ndarjen e çmimeve të dramës shqipe.

“Juria ka bërë vlerësim meritor duke ngritur edhe standardin që tash e tutje vlerësimi për punën e artistëve të jetë cilësorë”, ka thënë Çeku.