''Beautiful Pain'', drama që trajton fatin e një nëne të re

Filmi i metrazhit të shkurtë ”Beautiful Pain” me regji nga Ermal Duli, trajton tematikën e një nëne dhe vështirësitë që ajo has duke punuar dhe kujdesur për fëmijën e saj në të njëjtën kohë.

Përmes kësaj tematike pasqyrohet edhe gjendja e shumë nënave tjera në shoqërinë tonë.

Me skenar të Brikena Sopi dhe Ermal Duli, filmi flet për dy protagonistët kryesorë Bardhën dhe Ronin. Ky i fundit një fëmijë i vetëm në shtëpi në mungesë të fëmijëve të tjerë dhe me mall për nënën, e cila për të mbijetuar duhet të punojë dhe detyrohet ta lë atë derë më derë e pastaj dikur edhe krejt të vetëm në shtëpi.

Skenaristja Brikena Sopi, tregon se “Beautiful pain” prek një temë sociale dhe të ndjeshme dhe se për qëllim kryesor  projekti vetëdijësimin  e njerëzve për këtë problem në mënyrë që të merren hapat e duhur për përmisimin e kësaj situate.

”Shumë nëna të reja përkundër dëshirës së tyre, por pa mbështetje detyrohen t’i dorëzohen makthit të tyre më të madh, braktisjes së fëmijëve të tyre”, thekson ajo për Kallxo.com.

Sopi mendon se kjo vështirësohet edhe më shumë për shkak të mungesës së mbështetjes institucionale.

”Mbështetja institucionale në raste të tilla është shumë me rëndësi. Kjo duhet të ziejë një kauzë e cila kërkon kryengritje duke kontribuar në vetëdijen kolektive”, thekson skenaristja Sopi.

Tutje ajo tregon se regjisori, producenti dhe bashkëskenaristi pas shfaqjes së parë para publikut ka vazhduar menjëherë dërgimin nëpër festivale kombëtare dhe ndërkombëtare.

”Njëri ndër ta është Angeles Lift-Off Film Festival. Në nëntor të vitit 2019 filmi është zgjedhur të jetë pjesë e fazës së parë të garës. Filmi ka qenë në garë me shumë filma të tjerë për t`u kualifikuar në fazën e dytë, mirëpo për shkak të situatës së krijuar nga CoVid-19 festivali është anuluar”, tregon Sopi.

Filmi është realizuar në shtator të vitit 2019-të në kuadër të Fakultetit të Arteve, kurse në tetor të po atij viti ka pasur premierën.

”Beautiful Pain” me aktorët kryesor: Beslidhje Bytyqi, Butrint Sherifi dhe Eli Gashi u rishfaq sonte përmes një transmetimi drejtpërdrejtë për publikun në ”Termokis” në rrjetin social Facebook.

Ndërsa sa i përket shfaqjes së radhës së filmit në Kosovë, regjisori Ermal Duli, tregon se janë duke pritur përgjigje nga festivalet vendore.

”Për momentin jemi duke pritur nga disa festivalet vendore përgjigjje se a është pranuar filmi në festivalet përkatese apo jo, ndër ta është edhe ”Doku Fest”, mirëpo nuk ka ende asgjë zyrtare”, tregoi Duli.