Brenda një muaji tri raste të shenjëstrimit nga Prokuroria Speciale

 

Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), Blerim Isufaj, ka mbajtur sot takimin e radhës me ekipin e përbashkët për përzgjedhjen dhe shenjëstrimin e rasteve të krimeve të rënda.

Në këtë takim është shenjëstruar një rast të ri me gjashtë persona.

Ky rast nga prokuroria është koduar si “Zhuri” dhe ka të bëjë me vepra penale si shpëlarje parash, mashtrim kompjuterik i kryer në bashkëpunim në formë të grupit të strukturuar kriminal.

“Prokuroria Speciale njofton se rasti është shenjëstruar për veprat penale ‘’Shpëlarje e parasë’’ nga neni 302 lidhur me nenin 31 të KPRK-së, dhe lidhur me nenin 56 të ligjit  nr. 05/L- 096, Për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit, si dhe  ‘’Mashtrimi kompjuterik, i kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal’’- thotë njoftimi i prokurorisë.

Gjithashtu në këtë rast janë sekuestruar një shumë e të hollave në vlerë prej mbi 1.5 milionë euro

Prokuroria Speciale në muajin që lamë pas kishte mbajtur një takim tjetër ku ishin shenjëstruar dy raste të reja.

Sipas njoftimit që kishte bërë prokuroria në atë rast ishin të përfshirë 47 persona për vepra të ndryshme penale.

Prokuroria Speciale njofton se në rastin e parë janë të përfshirë 23 persona për veprat penale ‘’Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit’’, “Fajdeja”, “Detyrimi”, si dhe “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar”.

PSRK njofton se në lidhje me këtë rast kanë sekuestruar asete dhe mjete monetare.

Gjithashtu ka ngrirë në mënyrë afatgjate prona të paluajtshme dhe llogari bankare.

Ndër asetet e sekuestruara PSRK njofton se janë 7 banesa, 4 makina, llogari bankare me vlerë 186,861.75 euro, pasuri të luajtshme me vlerë, si dhe para të sekuestruara kesh.

Ndërsa për rastin e dytë, Prokuroria Speciale njofton se të përfshirë janë 24 persona që janë të përfshirë në vepra të ndryshme si “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Përvetësimi në detyrë”, “Falsifikim të dokumentit zyrtar”, “Shmangie nga tatimi” si dhe “Mashtrim në prokurim publik”.

Shenjëstrimi i rasteve nga ana e Prokurorisë Speciale ka qenë njëra nga kriteret e raportit të Komisionit Evropian për liberalizim të vizave për Kosovën.