Flamuri i Indisë, Foto: Pixabay

OKB: India do të bëhet vendi më i populluar në botë, në fund të prillit

India do të kalojë Kinën si vendi më i populluar në botë deri në fund të këtij muaji, tha të hënën OKB-ja.

Deri në fund të prillit, popullsia e Indisë pritet të arrijë në 1,425 miliardë, duke e kaluar Kinën për nga numri i banorëve, tha Departamenti i Çështjeve Ekonomike dhe Sociale i OKB-së.

“Popullsia e Kinës arriti kulmin e saj prej 1.426 miliardë banorësht në 2022 dhe ka filluar të bjerë. Popullsia e Kinës mund të bjerë në nën 1 miliard njerëz para fundit të shekullit”, tha agjencia e OKB-së.

Njoftimi i Departamentit të Çështjeve Ekonomike dhe Sociale të OKB-së pason njoftimin e Fondit të OKB-së për Popullsinë javën e kaluar se India do të ketë 2.9 milionë njerëz më shumë se Kina deri në mesin e vitit 2023.

Njoftimi ka nxitur pyetjet nëse India mund të përsërisë mrekullinë ekonomike që e nxori Kinën nga varfëria, duke e bërë atë një nga fuqitë kryesore të botës.

India po e paraqet veten si një fuqi globale në rritje, duke organizuar takimin e këtij viti të G20-tës, që do të mbahet në Nju Deli në shtator. G20 përbëhet nga ekonomitë kryesore të botës.

India, e cila për herë të fundit bëri një regjistrim të popullsisë në vitin 2011, nuk ka komentuar vlerësimet e OKB-së.

Sipas agjencisë së lajmeve Associated Press, popullsia e Indisë pritet të ndalojë së rrituri dhe të stabilizohet rreth vitit 2064./VOA