India e tejkalon Kinën për nga numri i popullsisë

India është në rrugën e saj për t’u bërë vendi më i populluar në botë, duke e tejkaluar Kinën me gati 3 milionë njerëz më shumë në mes të këtij viti, treguan të dhënat e publikuara të mërkurën nga Kombet e Bashkuara.

Të dhënat demografike nga Fondi i Kombeve të Bashkuara për Popullsinë (UNFPA) “Raporti i Gjendjes së Popullsisë Botërore, 2023” e vlerësojnë popullsinë e Indisë në 1.4286 miliardë kundrejt 1.4257 miliardë për Kinën.

Shtetet e Bashkuara pozicionohen në vendin e tretë, me një popullsi prej 340 milionë banorësh, treguan të dhënat nga UNFPA. Të dhënat pasqyrojnë informacionin e disponueshëm që nga shkurti i vitit 2023, thuhet në raportin e lartcekur.

Ekspertët e popullsisë duke përdorur të dhëna të mëparshme nga OKB-ja kanë parashikuar që India do ta kalojë Kinën këtë muaj. Mirëpo raporti i fundit nga trupi global nuk specifikoi një datë se kur do të ndodhte ndryshimi.

Zyrtarët e OKB-së për popullsinë kanë thënë se nuk është e mundur të specifikohet një datë për shkak të “pasigurisë” në lidhje me të dhënat që dolën nga India dhe Kina, veçanërisht pasi regjistrimi i fundit i Indisë u krye në vitin 2011 dhe një regjistrim tjetër që duhej të mbahej në vitin 2021 është vonuar për shkak të pandemisë.

Edhe pse India dhe Kina do të përbëjnë më shumë se një të tretën e popullsisë së vlerësuar globale prej 8.045 miliardë banorësh, rritja e popullsisë në të dy gjigantët aziatikë është ngadalësuar, me një ritëm shumë më të shpejtë në Kinë sesa në Indi.

Vitin e kaluar, popullsia e Kinës shënoi rënie për herë të parë në gjashtë dekada, një kthesë historike që pritet të shënojë fillimin e një periudhe të gjatë rënieje të numrit të qytetarëve të saj me implikime të thella për ekonominë e saj dhe botën.

Rritja vjetore e popullsisë së Indisë ka qenë mesatarisht 1.2% që nga viti 2011, krahasuar me 1.7% në 10 vitet e mëparshme, sipas të dhënave të qeverisë./Reuters

Përgatiti: Nuhi Shala