Konflikti në Lindjen e Mesme: Ushtria amerikane më sulme të reja kundër grupit Houthi në Jemen

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kryer sulme kundër një stacioni kontrolli të dronëve dhe deri në 10 dronë pa pilot në Jemen që po përgatiteshin të lansoheshin.

Në një deklaratë të postuar në platformën sociale X nga komanda qendrore e SHBA (Centcom), thanë se dronet përbënin një “kërcënim të menjëhershëm për anijet amerikane dhe anijet e marinës amerikane në rajon”.

Sipas Centcom, një anije e marinës amerikane rrëzoi gjithashtu tre dronë iranianë dhe një raketë balistike anti-anije Houthi në Gjirin e Adenit.

Një zyrtar i lartë i Hamasit i ka thënë agjencisë së lajmeve Reuters se ata po e studiojnë një propozim të ri për një armëpushim dhe lirim të pengjeve në Gaza, të paraqitur nga ndërmjetësit pas bisedimeve me Izraelin.

Propozimi i armëpushimit pasoi bisedimet në Paris ku përfshiheshin shefat e inteligjencës nga Izraeli, Shtetet e Bashkuara dhe Egjipti, me kryeministrin e Katarit.

Në përditësimin e saj të fundit operacional, ushtria izraelite thotë se vazhdon të operojë në Rripin qendror dhe verior të Gazës dhe pretendon se forcat e saj “po kryejnë sulme të targetuara në infrastrukturën terroriste dhe po eliminojnë dhjetëra terroristë”.

Në al-Shati në veri, ushtria izraelite pretendon se ka vrarë dhjetë njerëz dhe se ka “gjetur sasi të mëdha armësh, si dhe dokumente dhe pajisje ushtarake që i përkasin organizatës terroriste Hamas”.

IDF ka njoftuar se tre ushtarë izraelitë u vranë në Gaza të hënën.

Udhëheqësi i Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC), gjeneralmajor Hossein Salami, ka siguruar se vendi nuk ka frikë nga një luftë e mundshme me SHBA.

Në përgjigje të kërcënimeve të zyrtarëve amerikanë që synojnë Iranin, Salami theksoi se megjithëse nuk kërkojnë luftë, nuk do t’i shmangen asaj, duke thënë: “Ne nuk e lëmë asnjë kërcënim pa përgjigje dhe nuk kërkojmë luftë, porse nuk kemi frikë prej saj. Kjo është një vërtetë që dihet tashmë”.

Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, ka thënë të mërkurën se ka shpresë se mund të vendoset më vonë gjatë ditës se cili shtet anëtar mund ta drejtojë misionin e ardhshëm të BE-së për t’i mbrojtur anijet në Detin e Kuq, duke shtuar se operacioni mund të nisë para mesit të shkurtit./The Guardian

Përgatiti: Nuhi Shala