Vajza e dëshmorit të Kosovës i bashkohet radhëve të Ushtrisë Amerikane

Njëzet e katër vjet pas vdekjes heroike të dëshmorit Rrahman Tafa, njëra nga vajzat e tij e ka veshur uniformën ushtarake – mirëpo jo atë të Kosovës por të ushtrisë amerikane.

Vite më parë Rrahman Tafa e ka veshur uniformën ushtarake për të luftuar për lirinë e atdheut. Njëzet e katër vjet pas vdekjes së tij, Mirjeta, vajza e tij, e ka vazhduar rrugën e njëjtë sikurse babai i saj – është veshur me rrobat e ushtrisë që e çliroi Kosovën, uniformën e ushtrisë amerikane.

Ndonëse nuk e mban në mend babanë e saj që ra dëshmor në luftën e Kosovës, Mirjeta Tafa u frymëzua nga sakrifica e tij për t’iu bashkuar trupave të ushtrisë amerikane.

Dy ditë para 15 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, Mirjeta Tafa u diplomua si ushtare e Ushtrisë Amerikane, në gradën e katërt, si specialiste, grada më e lartë me të cilën mund të fillojë një ushtar. Në njërën anë të uniformës është shkruar emri Ushtria Amerikane dhe në anën tjetër mbiemri Tafa.

Një ditë pas diplomimit, rrugësdrejt Virxhinias, 29-vjeçarja e cila vite më parë është shpërngulur në Amerikë, flet për Prishtina Insight mbi përvojën e saj drejt radhëve të saj në ushtri.

“T’i bashkangjitesh ushtrisë më të fortë në botë për mua është arritja më e lartë në jetën time. Në momentet e diplomimit mendoja për babain tim dhe më mungonte shumë familja ime, mamaja, vëllai dhe dy motrat që nuk mund të ishin të pranishëm për ta festuar këtë sukses timin”, na tha ajo.

Mirjeta Tafa

Më 19 prill 1999, Rrahman Tafa, nga Carraleva e Shtimes, së bashku me bashkëluftëtarët e tjerë që po e ruanin kufirin e Kosovës gjatë luftimeve kundër forcave serbe, u vra në frontin e Koshares – komandant i së cilës ishte heroi kombëtar Agim Ramadani.

Mirjeta Tafa tashmë është pjesë e Gardës Kombëtare të SHBA. Detyra e saj kryesore është t’u përgjigjet emergjencave të nivelit shtetëror, të tilla si fatkeqësitë natyrore, “por jemi të gatshëm të shërbejmë edhe për gjithçka tjetër”.

Të qenit pjesë e ushtrisë dhe të veshësh uniformën e ushtarit ishte ëndrra e saj që nga fëmijëria, pikërisht për sakrificën e babait të saj, i cili e mban titullin “dëshmor i kombit”.

“Nuk e njoha aq shumë, apo pothuajse fare babanë tim, por me zgjedhjen që bëra, ndihem sikur e kuptoj personalitetin dhe guximin që qëndron prapa tij. Më duket se po e bëj këtë rrugëtim bashkë me të, sepse ai ka qenë dhe do të mbetet gjithmonë motivimi im për ta vazhduar karrierën time në ushtrinë amerikane”, thotë Mirjeta.

Rrugëtimi i saj drejt Ushtrisë Amerikane filloi në verën e vitit të kaluar pasi ra në kontakt me një rekrutues i cili e ndihmoi meprocedurat e dokumentacionit.

“E gjithë përvoja në këto 10 javë kishte momentet e veta të veçanta që nuk do t’i harroj asnjëherë, mirëpo momenti më i mirë dhe më emocionues për mua ishte dita e diplomimit,” thotë ajo.

Mirjetës i është dashur të mësojë fjalë të panjohura angleze, përmbledhje paragrafësh, gjeometri, aritmetikë dhe shkencë për ta kaluar testin me shkrim.

Fillimisht, ajo e kaloi testin për t’u bërë pjesë e stërvitjes bazë të Ushtrisë Amerikane i njohur si trajnimi bazë luftarak. Ajo e filloi stërvitjen bazë më 21 nëntor të vitit të kaluar dhe për 10 javë mësoi gjithçka që një ushtar duhet të dijë për ta nisyr karrierën në ushtri.

Misioni i Ushtrisë Amerikane është jetik për Kombin sepse ata janë në shërbim për t’i mposhtur forcat tokësore të armikut dhe për t’i kapur dhe kontrolluar përjetësisht gjërat që një kundërshtar i vlerëson më shumë – tokën, burimet dhe popullsinë e tij.

Në vitin 2021, sipas të dhënave, në ushtrinë amerikane kishte 482,416 anëtarë aktivë.

“Kam mësuar duke filluar nga krijimi i disiplinës e deri te kualifikimi në armë, të mësoj strategji se si të performojmë gjithmonë si grup, nën stres dhe lodhje; Kalonim netë në fushëbeteja të improvizuara, bënim shumë shëtitje, duke mbajtur pesha të ndryshme në krah”, kujton Mirjeta.

Suksesi i saj në stërvitjen bazë i siguroi Mirjetës të qenit pjesë e grupit të tetë ushtarëve më të mirë për të garuar për titullin e Ushtarit të ciklit. Edhe pse nuk e fitoi atë titull, Mirjeta ndjehet shumë e lumtur që rreshterët e inkurajuan të marrë pjesë në atë garë.

Për 26 vjet Mirjeta jetoi në vendlindjen e babait të saj në Carralevë të Shtimes. Mirëpo, në shkurt të vitit 2020, Mirjeta u zhvendos në Nju Jork, duke e parë Amerikën si një vend i mundësive dhe i mbështetjes për ëndrrat e njerëzve që duan të arrijnë diçka në jetë.

Para se të shpërngulej në Amerikë, Mirjeta i përfundoi studimet e larta në Universitetin e Prishtinës në Fakultetin Juridik dhe në të njëjtën kohë studioi Biznes dhe Menaxhim në Kolegjin Universum. Pas përfundimit të studimeve bachelor, Mirjeta i vazhdoi studimet master për Marrëdhënie Ndërkombëtare.

Mirjeta thotë se suksesi i saj në arsimin e lartë në Kosovë ia ka bërë më të lehtë suksesin në Amerikë.

“Jam shumë krenare se edhe pse vij nga një vend i ri si Kosova, kam arritur t’i bëj shumë të rinj amerikanë të mësojnë se ku është Kosova dhe të mësojnë pak edhe për historinë tonë”, ka theksuar Mirjeta.

“Të qenit vajzë, besoj se e ka bërë edhe më të veçantë historinë – sa të vendosura dhe të guximshme janë vajzat dhe gratë shqiptare, të afta dhe fitimtare në çdo sfidë”, shton ajo.

Rrugëtimi i saj në ushtrinë amerikane sapo ka nisur. Qëllimi i saj është të arrijë sa më lart të jetë e mundur dhe së shpejti ta fillojë shkollën e oficerëve

Ky artikull është publikuar fillimisht në Prishtina Insight