Sulmet kundër rebelëve Huthi në Jemen, Kosova në anën e Amerikës dhe Britanisë

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka shprehur mbështetjen e Kosovës ndaj sulmeve ushtarake të kryera nga SHBA, Britania e Madhe e vende të tjera aleate kundër grupit rebel Huthi në Jemen.

Forcat amerikane dhe britanike kanë kryer sulme ajrore dhe detare ndaj objektivave ushtarake të grupit Huthi në Jemen si përgjigje ndaj sulmeve të tyre kundër anijeve tregtare amerikane dhe ndërkombëtare në Detin e Kuq.

“Republika e Kosovës, si një vend thellësisht demokratik, rreshtohet qartë në krahë të partnerëve të saj strategjik në përpjekjet e përbashkëta për ruajtjen e paqes dhe sigurisë në botë” – thuhet në deklaratën e publikuar nga ministrja Gërvalla.

Sipas ministres Gërvalla, ky grup po kërcënon stabilitetin në Lindje të Mesme përmes sulmeve kundër anijeve komerciale dhe po pengon seriozisht qarkullimin e lirë të tregtisë dhe mallrave, duke krijuar kështu pasoja negative për ekonominë dhe fushat e tjera.

“Armiqtë e paqes, stabilitetit, sigurisë, demokracisë, rendit botëror dhe civilizimit janë armiq të të gjithëve. Vetëm së bashku mund të arrijmë që t’i mundim e të krijojmë një botë të qëndrueshme, e cila prioritet ka paqen, bashkëjetesën, tolerancën dhe përparimin në një botë, gjithnjë e më të globalizuar” – ka deklaruar ministrja Gërvalla.

Më tej, veprimet ushtarake të drejtuara nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Lindjen e Mesme, Gërvalla i sheh si veprime që kanë synim ruajtjen e rendit ndërkombëtar të bazuar në rregulla dhe këto veprime, sipas saj, ishin të domosdoshme pas shtimit të sulmeve kundër paqes dhe stabilitetit.

Shtëpia e Bardhë tha se më shumë se 2.000 anije ishin detyruar të bënin devijime prej mijëra kilometrash për të shmangur Detin e Kuq për shkak të akteve të rebelëve Huthi që prekën më shumë se 50 vende.

Huthit e Jemenit, të lidhur me Iranin, po luajnë një rol përshkallëzues në konfliktin në Lindjen e Mesme, duke sulmuar anijet në Detin e Kuq, duke gjuajtur raketa e duke kryer sulme me dronë ndaj Izraelit, në një fushatë që ata thonë se synon të mbështesë palestinezët në luftën në Gazë.