Përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri i Bashkimit Evropian , Josep Borrell - Foto: Facebook

Borrell: Ia theksova Vuçiqit që duhet të ketë lirim të menjëhershëm të tre policëve

Për tre policët e Kosovës që janë në paraburgim 30 ditësh në Serbi, me vendim të Gjykatës së Lartë të Kralevës, u fol prapë sot në takimin bilateral të përfaqësuesit të Lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell dhe emisarit të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

Borrell tha se ia theksoi Vuçiqit që tre policët duhet të lirohen menjëherë.

“I kam theksuar presidentit Vuçiq që tre policët e mbajtur në Serbi duhet të lirohen menjëherë dhe pa kushte” – ka thënë ai.

“Kam theksuar se arrestet arbitrare, keqtrajtimi i të burgosurve apo i të paraburgosurve është absolutisht i papranueshëm. Misioni i EULEX në Kosovë do të ketë një rol në kuptimin e monitorimit të këtij konteksti” – ka thënë Borrell.

Borrell gjithashtu u tha se në takime është folur edhe për arrestimet që janë bërë në Kosovë.

Ai tutje tha se beson që kanë “identifikuar rrugët e drejtimit por që të dyja palët duhet fillimisht të zbatojnë zotimet e tyre”.

Përfaqësuesi i lartë i BE-së gjithashtu tha se kanë qenë shumë të qartë që nuk mund të ketë pandëshkueshmëri për kryesit e akteve të dhunës.

“Kjo çështje duhet t’i lihet gjyqësorit dhe të trajtohet në mënyrë profesionale dhe të pa anshme” – shtoi ai.

Borrell tutje tha se për të bërë përpjekje për të ecur përpara ka nxjerrë në tryezë propozime konkrete në bazë të kushteve të përmendura të BE-së si dhe në këtë kontekst ai tha se janë pajtuar për nevojën për zgjedhje të reja.

“Kemi diskutuar modalitetet dhe detajet, hapat se si të arrihet atje. Ende nuk kemi arritur atje, por së paku duhet të dimë se si të vazhdojmë, cilat janë alternativat e mundshme dhe procedurat” – tha ai.

Përfaqësuesi i lartë i BE-së para disa muajve është arritur një marrëveshje themelore në rrugëtimin drejt normalizimit, duke shtuar se “me të vërtetë dukej që ishim në një drejtim të mirë për të avancuar në këtë që quhet normalizim i marrëdhënieve”.

“Takimi i sotëm nuk është fokusuar tek ajo çka, por kur dhe si të shtensionohet situata në terren, se si të shtensionohet në hapa krejtësisht konkret, se si të organizohet zgjedhje të reja dhe se si të kthehemi në tryzën e dialogut si dhe në implementim të të gjitha detyrimeve dhe obligimeve nga marrëveshjet, sidomos nga marrëveshja për rrugën ose shtegun drejt normalizimit” – tha tutje ai.

Ndër të tjera, Borrell njoftoi se dy liderët e kuptojnë peshën e situatës, por që kanë qasje të ndryshme, në pozicione të ndryshme.

Ai në fund tha se së bashku me Lajçak do të jenë në kontakt me të dyja palët dhe të hënën do t’i raportoj ministrave të jashtëm për këtë situatë se ku qëndrojnë dhe kah duhet të drejtohen.

Takimet e sotme u mbahjtën për shkak të situatës së tensionuar në veri të Kosovës.

Që nga 26 maji, qytetarët serb janë duke protestuar për të kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të zgjedhur më 23 prill 2023, nëpër objektet komunale në Leposaviq, Zveçan e Zubin Potok.

Gjatë protestave me dhjetëra pjesëtarë të KFOR-it dhe protestuesve mbetën të lënduar. Të lënduar gjatë këtyre ditëve pati edhe zyrtarë të Policisë së Kosovës.

Me lëndime trupore mbetën edhe gazetarë të mediave të ndryshme, të cilët që nga fillimi i protestave janë sulmuar vazhdimisht gjatë raportimeve të tyre nga kjo zonë.

Veturat e mediave, e edhe të Policisë së Kosovës u thyen e u djegën.

Për sulmet që u bënë në drejtim të gazetarëve u arrestuan disa persona, e një nga të arrestuarit gjatë këtyre ditëve po dyshohet të jetë i përfshirë edhe në sulmet ndaj pjesëtarëve të KFOR-it e po ashtu edhe për sulm ndaj zyrave të Komisionit Komunal Zgjedhor, KKZ në dhjetor të vitit të kaluar në veri.

Personi që po dyshohet për kryerje të këtyre veprave penale është Milun Milenkoviq i njohur si Llune, i cili u arrestua më 13 qershor 2023.

Vetëm një ditë pas arrestimit të tij, më 14 qershor Policia e Kosovës kishte konfirmuar se tre zyrtarë policorë kufitar patrullues ishin kidnapuar nga forcat serbe brenda territorit të Kosovës.

Për këtë rast, autoritetet e Serbisë kanë qëndrim tjetër. Ata thonë se nuk ka pasur kidnapim, por arrestim pasi pretendojnë se policët gjendeshin në territor të Serbisë.

Tre policët e Kosovës të cilët gjenden në një qendër paraburgimi në Kralevë të Serbisë, më 19 qershor u vizituan nga shefi i Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Beograd, Jetish Jashari.

Gjykata e Lartë në Kralevë, më 16 qershor mori vendim për masën e paraburgimit prej 30 ditëve ndaj policëve të Kosovës.

Për lirimin e tyre, pati kërkesa të shumta nga ana e ndërkombëtarëve e edhe nga ana e udhëheqësve shtetëror të Kosovës.