Bislimi për mundësinë e anëtarësimit të Kosovës në BE: Sfidat që shfaqen janë më shumë të jashtme

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi gjatë pjesëmarrjes në panelin e diskutimit “Ballkani Perëndimor dhe Zgjerimi i BE-së 2030- Ëndërr apo Realitet?” që është mbajtur në Athinë më 15.03.2024, është pyetur ndër tjera se sa reale është mundësia e anëtarësimit të Kosovës në BE në vitin 2030.

E ai, siç njofton Zyra e Kryeministrit, ka thënë se në rastin e Kosovës, sfidat që shfaqen janë më shumë të jashtme sesa që burojnë nga brenda vendit.

“Më pas, i pyetur se sa është reale mundësia e anëtarësimit në BE deri në vitin 2030, zëvendëskryeministri theksoi se duhet të ketë një proces të standardizuar të vlerësimit për të gjithë rajonin, në lidhje me zbatimin e reformave dhe rrugën përpara drejt BE-së. Duke theksuar se në rastin e Kosovës, sfidat që shfaqen janë më shumë të jashtme sesa që burojnë nga brenda vendit, ai nënvizoi se vendi ynë vijon të mbetet i përkushtuar në zbatimin e reformave dhe arritjen e standardeve evropiane”- citohet të ketë thënë Bislimi.

Ai gjithashtu ka nënvizuar rëndësinë gjeostrategjike të rajonit të Ballkanit Perëndimor si dhe rëndësinë e zgjerimit, duke shtuar se me procesin e liberalizimit të vizave tashmë të kompletuar e të arritur, “Kosova vijon punën në trajektoret e tjera po aq të rëndësishme për vendin, dhe veçanërisht rrugën drejt Bashkimit Evropian”.

“Shtoi se Republika e Kosovës ka shfaqur maturi e përgatitje në këtë proces, duke analizuar dhe sektorët e fushat përmes së cilave edhe më së shumti dëshmojmë që jemi gati, kemi avancuar e shënuar progres të shpejtë dhe meritojmë hapa konkretë tutje”- bëhet e ditur në kumtesë.

Sipas komunikatës, pas panelit të diskutimit, u organizua një pritje në margjina të eventit, e ku me ftesë nga ministri i Punëve të Jashtme të Greqisë, Georgios Gerapetritis, zëvendëskryeministri Bislimi mori pjesë bashkë dhe me personalitetet e tjera nga ngjarja dhe paneli.