Bislimi flet për liberalizimin e vizave: E panevojshme të dalim me data

Zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Besnik Bislimi, ka folur para deputetëve të Kuvendit rreth liberalizimit të vizave.

Gjatë raportimit të tij, ai foli edhe për dialogun me Serbinë por edhe marrëveshjet që po zbatohen mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian.

Ai tha se nuk është e nevojshme të flitet ndonjë datë për liberalizim të vizave.

“Mendojmë që pika që mbulon Kosovën do të jetë në agjendë më 13 tetor. Ky është hapi i parë por jo i fundit pasi që janë 5 hapa të tjerë. Është e panevojshme që të dalim me data të caktuara se kur kund të ndodhë liberalizimi i vizave” – deklaroi Bislimi të mërkurën para deputetëve.

Ndërsa, sa i përket dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, ai tha se gjatë këtij muaji mund të organizohet një takim mes liderëve në kryeqytetin e BE-së.

“Në këtë takim Kryeministri Kurti ka paraqitur pozicionin e tij, kanë qenë të dakoruar që të ketë takime, mesa di ka pritje që edhe gjatë muajit tetor të organizohet një takim. Ka marrëveshje të pazbatuara, një ndër to është edhe marrëveshja për energjinë” – tha ai.

“Deri më tani ka pasur lëvizje vetëm në obligimet që i ka marrë ZRRE, por pikat e tjera nuk janë përmbushur. Ne i kemi dërguar një letër BE-së se ka kaluar afati dhe tani mund të rrjedhë afati shtesë dhe kjo nënkupton që mund të ketë edhe pasoja për licencën” – tha zëvendëskryeministri Besnik Bislimi.

Zëvendëskryeministri Bislimi po ashtu u pyet edhe për përmbushjen e kritereve për statusin e kandidatit për në BE.

“Për statusin e kandidatit, lajmërimi për këtë ka ardhur nga kryeministri dhe jo nga unë. Për të aplikuar për statusin e kandidatit nuk ka obligime të caktuara. Është momenti vendimtar që të përmbyllet gjatë këtij viti” – tha ai.