Bislimi: Beogradi synon që me Asociacion ta bëjë shtetin e Kosovës jo-funksional

Zëvendëskryeministri i vendit, Besnik Bislimi ka deklaruar se Kosova vazhdimisht ka paralajmëruar komunitetin ndërkombëtar për arsyen e vërtetë të Serbisë për insistimin e formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Sipas Bislimit, Asociacioni nuk është për qëllimin e integrimit të serbëve lokalë në Kosovë, por siç ka thënë ai “të jetë ‘Kali i Trojës’ i Beogradit për ta bërë shtetin jofunksional duke përgatitur mënyrën për ndarje”.

“Kosova vazhdimisht ka paralajmëruar komunitetin ndërkombëtar për arsyen e vërtetë të Serbisë për insistimin e formimit të AKS-së. AKS-ja kurrë nuk ka pasur qëllim t’i integrojë serbët lokalë në Kosovë, por të jetë ‘Kali i Trojës’ i Beogradit për ta bërë shtetin jofunksional, duke përgatitur mënyrën për ndarje. ‘Non-paperi’ i fundit i draftuar nga Akademia e Shkencave dhe e Artit e Serbisë (nga Vasilije Krestiq, anëtare e plotë) ofron dëshminë më të fuqishme deri më tash për qëllimet e vërteta të Serbisë prapa insistimit për AKS-në në Kosovë”- ka shkruar Bislimi në Twitter.

Bislimi thekson se themelimi i Asociacionit nuk është një objektiv në vete, por përkundrazi përfaqëson një hap drejt qëllimit kryesor e që është “bota serbe”, që përkon me territorin e ish-Jugosllavisë.

“Krijimi i AKS-së nuk është objektiv në vete, por paraqet një hap të rëndësishëm drejt arritjes së synimit për ‘Botën serbe’ që koincidon me territorin e ish-Jugosllavisë.  Dizajni fillestar i AKS-së nuk është relevant, pasi kompetencat do të evolojnë dhe do të eksploatohen për shkak të përkrahjes financiare të Beogradit dhe një mungese relative të mbikëqyrjes nga Qeveria e Kosovës”- thotë Bislimi.

Ndërkaq, të enjten kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka deklaruar se i ka dorëzuar presidentit të Francës, Emanuel Macron dhe kancelarit të Gjermanisë, Ola Scholz një draft të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Rama në një konferencë të jashtëzakonshme për media lidhur me tensionet në veri, deklaroi se beson që çdo ditë e më shumë se krijimi i Asociacionit është çelësi për të hapur përfundimisht derën e afirmimit ndërkombëtar të Kosovës.

Ai tha se për draftin e Asociacionit ka vënë në dijeni edhe presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel dhe palën amerikane.

Më 2 maj, kryeministri i Kosovës Albin Kurti në një konferenë për media pas takimit trepalësh në Bruksel kishte thënë që, “dëshira e tyre [e ekipit menaxhues] për një Republikë Serbe e ka shkruar këtë statut të [Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe]”.

Kurti shtoi se ka propozuar një draft vizion që përshkruan vlerat, parimet dhe kornizën që duhet të rregullojë çështjen e komuniteteve joshumicë.

“Besoj se propozimi im do të merret seriozisht nga ndërmjetësit, pasi do të na mundësojë të ndërtojmë diçka të mirë, të drejtë dhe të dobishme për të gjithë, jo vetëm për serbët, të cilët duhet të jenë në gjendje të jetojnë në vendin tonë dhe të jenë anëtarë të shoqërinë tonë”, tha Kurti.

Pas prezantimit të draft-statutit të Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me shumicë serbe në Kosovë në takimin e nivelit të lartë në Bruksel, ministri i Administratës dhe Pushtetit Lokal i Kosovës, Elbert Krasniqi, shkarkoi Ekipin Menaxhues të ngarkuar për hartimin e statutit.

Sipas Krasniqit, “ky ekip tashmë është vetë pa status”.

Ekipi përgjegjës për hartimin e Statutit të Asociacionit përbëhej nga Jelena Boloviq, Igor Kalamar, Dejan Radojkoviq dhe Danijela Vujiçiq.

Ndërkaq, zëdhënësi i BE-së Peter Stano, këtë vendim e ka cilësuar si shkelje të frymës së marrëveshjeve të Brukselit, duke theksuar se këso hapa duhet të ndërmirren vetëm në dialogun e lehtësuar nga BE-ja.

“Drafti i parë i statutit u prezantua nga ekipi menaxhues më 2 maj në dialogun e nivelit të lartë, i cili tashmë nis procesin e negociatave. Prandaj, vendimi për shpërndarjen e ekipit menaxhues shkel letrën dhe frymën e marrëveshjeve të dialogut. Çdo vendim në lidhje me ekipin menaxhues duhet të miratohet në kuadrin e dialogut të lehtësuar nga BE-ja,” ka thënë Stano në disa përgjigje për KALLXO.com.

Formimi i Ekipit Menaxhues ishte paraparë me marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013.

Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për Asociacionin më 2013, dhe më pas më 2015 mbi parimet për themelimin e tij.

Po më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur se marrëveshja nuk është në harmoni të plotë me Kushtetutën.

Serbia kërkon që Kosova të zbatojë marrëveshjet e arritura, por Qeveria aktuale e Kosovës është deklaruar kundër një asociacioni njëetnik.

Rama i dorëzon një draft të Asociacionit Macronit dhe Scholzit