Rama i dorëzon një draft të Asociacionit Macronit dhe Scholzit

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka deklaruar se i ka dorëzuar presidentit të Francës, Emanuel Macron dhe kancelarit të Gjermanisë, Ola Scholz një draft të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Rama në një konferencë të jashtëzakonshme për media lidhur me tensionet në veri, deklaroi se beson që çdo ditë e më shumë se krijimi i Asociacionit është çelësi për të hapur përfundimisht derën e afirmimit ndërkombëtar të Kosovës.

“Besoj çdo ditë e më shumë se krijimi i Asociacionit është çelësi për të hapur përfundimisht derën e afirmimit ndërkombëtar të Kosovës, e njohjes saj nga të gjithë, e uljes saj në Kombet e Bashkuara dhe forume ndërkombëtare dhe e njohjes saj të ndërsjellë me Serbinë”- ka deklaruar Rama.

Ai tha se për draftin e Asociacionit ka vënë në dijeni edhe presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel dhe palën amerikane.

“Dje i kam përcjellë presidentit Macron dhe kancelarit Scholz që janë të dy kumbarët e propozimit franko-gjerman, një draft të Asociacionit për të cilin e kam vënë në dijeni edhe presidentin e Këshillit Evropian, Charls  Michel dhe palën amerikane”- tha Rama.

“Është një draft i punuar nga ekspertë të nivelit më të lartë amerikan dhe evropian prej kohësh, gjë që është bërë pikërisht në rast se do të vinte kjo ditë, kur palët dhe në këtë rast për mua i paktueshëm është pozicioni i Kosovës, jo i Serbisë. Palët nuk po merren dot vesh as se kush do ta shkruajë këtë tekst e jo më të merren vesh se çka do të ketë teksti”- shtoi ai.

Përmbajtja e draftit, Rama u shpreh se është konfidencial teksa u shpreh se janë marrë në konsideratë të gjitha arsyet për krijim të Asociacionit si dhe rekomandimet dhe konkluzionet e Gjykatës Kushtetuese në Kosovë.

“Ky është një dokument konfidencial i cili nuk pretendon të jetë zgjidhja ideale por, ju siguroj që është i nivelit më të lartë ndërkombëtar dhe merren në konsideratë të gjitha arsyet për krijim të asociacionit dhe merr në konsideratë se asociacioni është pjesë e organizimit të jetës në Kosovë duke adresuar të gjitha rekomandimet apo konkluzionet e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës”- theksoi ai.

Rama pret që drafti të vlejë për të çuar në një nivel tjetër dialogun Kosovë-Serbi.

“Uroj dhe shpresoj që ky material do të vlejë për ta çuar një nivel tjetër dialogun dhe për t’i bërë palët të flasin për gjëra konkrete, gjëra që lidhen me përfundimin e suksesshëm të dialogut dhe jo që të flasin me vete dhe për vete”-është shprehur ai.

Më 2 maj, kryeministri i Kosovës Albin Kurti në një konferenë për media pas takimit trepalësh në Bruksel kishte thënë që, “dëshira e tyre [e ekipit menaxhues] për një Republikë Serbe e ka shkruar këtë statut të [Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe]”.

Kurti shtoi se ka propozuar një draft vizion që përshkruan vlerat, parimet dhe kornizën që duhet të rregullojë çështjen e komuniteteve joshumicë.

“Besoj se propozimi im do të merret seriozisht nga ndërmjetësit, pasi do të na mundësojë të ndërtojmë diçka të mirë, të drejtë dhe të dobishme për të gjithë, jo vetëm për serbët, të cilët duhet të jenë në gjendje të jetojnë në vendin tonë dhe të jenë anëtarë të shoqërinë tonë”, tha Kurti.

Pas prezantimit të draft-statutit të Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me shumicë serbe në Kosovë në takimin e nivelit të lartë në Bruksel, ministri i Administratës dhe Pushtetit Lokal i Kosovës, Elbert Krasniqi, shkarkoi Ekipin Menaxhues të ngarkuar për hartimin e statutit.

Sipas Krasniqit, “ky ekip tashmë është vetë pa status”.

Ekipi përgjegjës për hartimin e Statutit të Asociacionit përbëhej nga Jelena Boloviq, Igor Kalamar, Dejan Radojkoviq dhe Danijela Vujiçiq.

Ndërkaq, zëdhënësi i BE-së Peter Stano, këtë vendim e ka cilësuar si shkelje të frymës së marrëveshjeve të Brukselit, duke theksuar se këso hapa duhet të ndërmirren vetëm në dialogun e lehtësuar nga BE-ja.

“Drafti i parë i statutit u prezantua nga ekipi menaxhues më 2 maj në dialogun e nivelit të lartë, i cili tashmë nis procesin e negociatave. Prandaj, vendimi për shpërndarjen e ekipit menaxhues shkel letrën dhe frymën e marrëveshjeve të dialogut. Çdo vendim në lidhje me ekipin menaxhues duhet të miratohet në kuadrin e dialogut të lehtësuar nga BE-ja,” ka thënë Stano në disa përgjigje për KALLXO.com.

Formimi i Ekipit Menaxhues ishte paraparë me marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013.