BIRN trajnon gazetarët për standardet e raportimit në situata emergjente

Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN) sot ka mbajtur një trajnim online me mbi 40 gazetarë dhe studentë të gazetarisë mbi “Standardet e raportimit në situata emergjente”.

Në këtë trajnim kanë ligjëruar Valbon Krasniqi – infektolog në QKUK, Kreshnik Gashi – autor i emisionit “Drejtësia në Kosovë”, Visar Prebreza – redaktor përgjegjës për hulumtimet në BIRN Kosova dhe Labinot Leposhtica – Koordinator i Zyrës Ligjore në BIRN Kosova.

Në pjesën e parë të trajnimit është zhvilluar një bashkëbisedim mes infektologut Valbon Krasniqi dhe pjesëmarrësve në trajnim, të cilët kanë parashtruar pyetje dhe komente në lidhje me situatën që është krijuar nga COVID-19.

Krasniqi ka dhënë përgjigje në pyetjet e parashtruara për COVID-19, ka folur edhe për raportimin e mediave në Kosovë për këtë sëmundje dhe çka duhet të bëhet më mirë sipas tij. Ai madje ka rekomanduar që gazetarët të kenë një udhëzues se si duhet të sillen në ambientet e tyre të punës dhe jashtë të tij në këtë situatë.

Pas infektologut, ligjërimin e ka vazhduar Kreshnik Gashi, i cili ka folur në lidhje me raportimin e mediave në situata të krizave duke marrë shembuj të mirë dhe të këqinj që kanë ndodhur në Kosovë që para regjistrimit të rastit të parë me COVID-19 në Kosovë.

Menjëherë pas Kreshnik Gashit, fjalën e ka marrë Visar Prebreza, redaktori i hulumtimeve në KALLXO.com, i cili ka falur për tenderët, procedurat e prokurimit në situata emergjente dhe cilat janë procedurat që ndiqen në këto situata, duke ua shpjeguar me shembuj të ndryshëm pjesëmarrësve në trajnim.

Trajnimin e ka përmbyllur Labinot Leposhtica, Koordinator i Zyrës Ligjore në BIRN, i cili ka folur për një pjesë të rëndësishme dhe të ndjeshme siç është “Etika dhe mbrojtja e privatësisë në situata të krizave”, duke e shpjeguar se si është e rregulluar me ligj kjo pjesë në Kosovë, si po veprojnë vendet në rajon, dhe sa po respektohen rregullat e etikës.

Ky trajnim është mundësuar nga ‘Programi i shoqërisë civile për Shqipërinë dhe Kosovën’, financuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Norvegjisë dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) në partneritet me Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim (PA).