Foto: REL

Biden dhe Trump bëjnë fushatë në Xhorxhia

Presidenti amerikan, Joe Biden dhe ish-presidenti Donald Trump bënë fushatë në Xhorxhia, në përpjekje për të rritur mbështetjen në këtë shtet të rëndësishëm për zgjedhjet presidenciale të nëntorit. Në tubimet e mbajtura në qytete të ndryshme, ata theksuan vizionet e tyre për Amerikën.

“Nëse dëshironi ta shpëtoni Amerikën, duhet të votoni”, tha Presidenti Trump në një tubim fushate në Xhorxhia.

Në tubimin parë të fushatës pas tërheqjes së ish guvernatores republikane Nikki Haley nga gara, zoti Trump kritikoi ashpër Presidentin Biden.

“Jeni duke shkatërruar vendin tonë, Joe. Ai është i humbur. Nuk di se çfarë po bën”, tha zoti Trump.

Ish Presidenti Trump dje bëri fushatë në shtetin ku ndaj tij janë ngritur akuza penale për përpjekje për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020. Ai i ka mohuar të gjitha akuzat.

Por, për shumë votues në qytetin e Romës në Xhorxhia, që ndodhet në distriktin e ligjvënëses republikane Marjorie Taylor Greene, akuzat penale nuk kanë ndikuar në mbështetjen e tyre për zotin Trump.

“Po. Varet nga krimi”, tha votuesi Daniel Latham kur u pyet nëse do ta mbështeste zotin Trump edhe nëse ai do të shpallej fajtor për një vepër penale.

Rreth 110 kilometra larg Atlantës, qytetit më të madh të Xhorxhias, Presdidenti Biden mbajti një tubim fushate. Në vitin 2020, ai fitoi në këtë shtet me një epërsi prej më pak se 12 mijë votash.

“Donald Trumpi dhe republikanët, që e mbështesin atë duan të heqin liritë tona”, tha Presidentin Biden, i cili u përpoq të bënte një dallim mes vizionit të tij për Amerikën dhe atij të zotit Trump.

“Zoti Trump dhe unë kemi vlera të ndryshme. Donald Trump shikon një Amerikë të ndryshme, një Amerikë me histori të zemërimit, hakmarrjes dhe ndëshkimit. Këto nuk janë vlerat e mia”, tha Presidenti Biden./VOA.