Kuvendi i Kosovës/ Foto: KALLXO.com

Kuvendi heq nga rendi i ditës shkarkimin e Bordit të KPMM-së

Me kërkesë të Lëvizjes Vetëvendosje, Kuvendi e ka hequr nga rendi i ditës pikën për shkarkimin e Bordit të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM).

Shkarkimin e këtij bordi e kishte kërkuar Komisioni për Ekonomi, Tregti dhe Industri.

Shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila, ka propozuar që të hiqet nga rendi i ditës shqyrtimi i rekomandimit të Komisionit për Ekonomi, Tregti dhe Industri për shkarkimin e Bordit të KPMM-së.

Ajo ka thënë se kërkesa për heqje ka rendi i ditës ka të bëjë me arsye procedurale derisa ka kërkuar që ajo të caktohet për një seancë tjetër.

“Kërkojmë ta tërhiqet për arsye procedurale dhe të trajtohet në një seancë tjetër. Komisioni funksional e ka edhe një procedurë që duhet ta zbatojë në përputhje me Rregulloren e Kuvendit. Kjo pikë do të caktohet në një seancë tjetër”, ka thënë Kusari-Lila.

Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj, e ka akuzuar për korrupsion Qeverinë duke thënë se vetë e ka emëruar bordin.

“Kur keni ardhur në qeverisje keni thënë që do të ketë zero korrupsion. Tash një bord qe vetë e keni emëruar për një periudhë shumë të shkurtë po dëshironi ta shkarkoni për korrupsion. Keni afera  korruptive më shumë se secila qeveri e kaluar”- ka thënë ajo.

Një kundërpërgjigje për deklaratën e Kadrijaj e dha kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca.

“Unë këtë veprim po e shumë më shumë si luftë kundër korrupsionit”- ka thënë kryeparlamentari për veprimin lidhur me shqyrtimin për shkarkimin e bordit.

Shqyrtimi i rekomandimit të Komisionit për Ekonomi, Tregti dhe Industri për shkarkimin e Bordit të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM), ka qenë pika e 12 në rendin e ditës së seancës së sotme plenare.