Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Besnik Krasniqi jep dorëheqje nga Njësia për Monitorim të Ndërmarrjeve Publike

Nga nesër, udhëheqësi i Njësisë për Politika dhe Monitorim të Ndërmarrjeve Publike në Ministrinë e Ekonomisë, Besnik Krasniqi nuk do ta drejtojë këtë institucion.

Ai, përmes një letre drejtuar ministres së Ekonomisë Artane Rizvanolli, ka paraqitur dorëheqjen nga pozita e drejtorit të Njësisë për Politika dhe Monitorim të Ndërmarrjeve Publike.

“Arsyeja e vendimit tim për dorëheqjen nga funksioni i ushtrimit të pozitës së udhëheqësit të Njësisë në kuadër të Ministrisë së Ekonomisë, vjen si rezultat i angazhimit tim profesional në fusha tjera, prandaj konsideroj se angazhimi im i mëtutjeshëm në këtë pozicion, nuk mund të jetë efektiv dhe në shtyrjen e proceseve karshi ndërmarrjeve publike”, thuhet në letrën e Krasniqit dërguar ministres Rizvavolli.

“Duke ju falënderuar për bashkëpunimin korrekt gjatë kësaj kohe të angazhimit tim në pozitën e lartcekur në drejtim të shtyrjes së përgjegjësive përpara, kërkoj mirëkuptimin tuaj në dorëheqjen e parevokueshme”, thuhet në fund të letrës të cilën e ka siguruar KALLXO.com.

Besnik Krasniqi erdhi në krye të Njësisë për Politika dhe Monitorim të Ndërmarrjeve Publike në korrik të vitit të kaluar me një mandat tre vjeçar.

Letra e dorëheqjes.