Zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi në Kuvend, Foto: Kuvendi i Kosovës

Besnik Bislimi: E pyeta kryeministrin – A thua vallë e di Abdixhiku kur kryhet lufta në Ukrainë?

Zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi i ka reaguar kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku i cili gjatë seancës i kërkoi shefit të tij, që ta “lidhte”.

“Kryeministër, t‘lutem lidhe zëvendëskryeministrin, trego respekt minimal në fjalim. Mund ta bëjmë edhe ndryshe, por e keni mundësinë këtu në mikrofon të diskutoni. Lidhe”, kishte thënë Abdixhiku gjatë fjalimit të tij disa minuta më herët.

Këtij deklarimi i ka reaguar edhe Bislimi.

“Ajo që ndodhi ishte se kur deputeti po shpjegonte se si me saktësi ka parashikuar dhe i di të gjitha zhvillimet, unë i impresionuar e pyeta kryeministrin, se mos vallë e di edhe kohën kur do të përfundojë lufta në Ukrainë e nuk po na tregon”, është shpjeguar Bislimi.

Tutje Bislimi ka replikuar edhe lidhur e fjalën “Lidhe”.

“Sa i përket komentit të tij për lidhje pse zgjidhje, dua vetëm të konkludojë se bashkëndjej me të por nuk e ndihmoj dot”, ka thënë ai.

Bislimi gjatë fjalimit të tij foli edhe lidhur me arsyet e rritjes së çmimeve të cilat sipas tij janë si pasojë e tri zhvillimeve.

“Kjo rritje e çmimeve vjen si pasojë e tri zhvillimeve të njëhershme që ndërlidhen me ndryshimin me kërkesën dhe ofertën me bursën ndërkombëtare, invazionin e Rusisë në Ukrainën si dhe aktivitetet spekulative të tregtarëve të përgjegjshëm. Nga këta faktor vetëm ky i fundit përbën prodhim vendor dhe mund të adresohet me lehtë nga ana e institucioneve tona”, ka thënë Bislimi.

Kuvendi i Kosovës po mban sot seancë të jashtëzakonshme me një pikë në rend dite- Debat parlamentar lidhur me rritjen çmimeve.

Ditëve të fundit në Kosovë përveç çmimit të naftës është vërejtur rritje e çmimeve edhe të disa prej produkteve esenciale ushqimore.

Disa nga produktet që pësuan rritje të çmimeve është vaji, sheqeri dhe mielli.

Me 10 mars në Kosovë çmimi i vajit ka shkuar në 3.49 euro.

Abdixhiku: Kryeministër lidhe Besnik Bislimin