Beke Berisha 29.05.2023 - FOTO KALLXO.com

Berisha: Situata në veri është shqetësuese, rrezikon stabilitetin dhe sigurinë në vend

Kryetari i komisionit për çështje të sigurisë në Kuvendin e Kosovës, Bekë Berisha është deklaruar për media pas thirrjes së mbledhjes së këtij komisioni ku i ftuar ishte edhe Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, por ai nuk ishte i pranishëm.

Ministri Sveçla nuk ishte pjesë e mbledhjes me arsyetimin e zhvillimeve në veri të vendit. Përveç tij, të pranishëm nuk ishin as deputetët e pozitës.

Kryetari Berisha në emër të komisionit dhe deputetëve që morën pjesë në mbledhje u bëri thirrje qytetarëve të komunitetit serb që të mos bien pre e thirrjeve luft-nxitëse të presidentit serb, Aleksander Vuqiç.

Ai gjithashtu tha se grupet kriminale duhet të ndalin sulmet ndaj Policisë së Kosovës, qytetarëve, gazetarëve e KFOR-it.

“Për ne situata është e ndjeshme, ku për tre ditë me radhë po dëgjohen krisma në veri e kallashnikov, po digjen makinat e policisë e tashmë janë invlovuar edhe KFOR-i. Zhvillimet kanë marrë teposhzën, ku çdo orë po ndodh diçka. Situata në veri është shqetësuese e papranueshme dhe e rrezikon stabilitetin dhe sigurinë në vend. Kuvendi i Kosovës do të duhej të ishte në mbledhje të jashtëzakonshme, Këshilli i Sigurisë në mbledhje të vazhdueshme”- tha Berisha.

Berisha deklaroi se “Qeveria e Kosovës duhet të insistoj në funksionalizimin e mandatit të kryetarëve dhe që nga ky koment të mos ndërmarrë veprime të cilat nuk janë të harmonizuara në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vendet e QUINT-it dhe KFOR-in”.

Situata në veri – Pamje