Adrian Berisha flet për rastet kur u bullizua nga shoqëria

Adrian Berisha, ish-drejtor i Kulturës në Komunën e Prishtinës, ka thënë se gjatë jetës është përballur vazhdimisht me bullizëm për dukjen ose ndonjë të metë.

Ai në emisionin “Kallxo Përnime” tha se rastin e parë që mban mend i ka ndodhur në shkollë.

“Unë i kam tri raste, një kur i kam kërkuar mësueses të shkoj në banjo për të urinuar dhe nuk më ka lejuar, kështu e kam kryer nevojën në rroba dhe prej asaj dite fëmijët më janë drejtuar me terma që ka ndikuar në mbylljen time në vete, madje nuk kam dashur të shkojë as në klasat e tjera”, ka thënë Berisha.

Tutje, ai shtoi se në periudhën e pasluftës i ishte shfaqur një problem në të folur si shkak i një traume të përjetuar gjatë luftës.

“Rasti i dytë ka qenë gjatë periudhës së luftës ku unë kam qenë 9-vjeçar, në tren rrugës për në Bllacë e kam parë një njeri duke u djegur, atëherë kam përjetuar një shok të madh, nuk kam qenë mirë nga ana psikike. Pastaj kam përjatuar stres post traumatik në vitin 2002/03 ku më janë shfaqur probleme në të folur. Kjo po ashtu më është përcjellë me bullizëm, madje hezitoja ta merrja fjalën edhe në shumë ngjarje”, shtoi më tej Berisha.

Kurse, rast tjetër i bullizmit që Berishës i ka mbetur në mendje ishte koha kur një shoqe nuk e përqafoi pasi kishte akne në fytyrë, këto të fundit i ishin shfaqur për shkak i kimioterapisë.

“Rast tjetër i bullizmit ka qenë se pas një kimioterapie më janë shfaqur shumë akne në fytyrë dhe kam pasur shoqe që të gjithëve u kanë folur me përqafim kurse mua më ka zgjatur vetëm dorën. Kjo më ka rritur një mosbesim në vete”, shtoi tutje Berisha.