Rruga te ‘Kafet e Rakisë’ në Prishtinë do mbyllet për makina

Rruga ‘2 Korriku’ e njohur si ‘Kafet e Rakisë’ në Prishtinë, pritet të mbyllet për makina dhe do shndërrohet në rrugë për këmbësorë.

Ky intervenim pritet të ndodhë në kuadër të trajtimit të hapësirave publike nga ‘Manifesta’.

Kështu ka bërë të ditur drejtori i Kulturës në Komunë, Adrian Berisha në një postim në Twitter.

“Rruga të Kafet e Rakisë do të mbyllet dhe do shndërrohet në rrugë për këmbësorë. Ky intervenim do të ndodhë në kuadër të  festivalit ‘Manifesta’ dhe vjen si propozim i hulumtimit se si duhet të trajtojmë hapësirat publike”, ka thënë Berisha.

Berisha tutje potencoi se rruga nuk është mbyllur ende pasi banorët në atë zonë po kërkojnë t`u bëhet zgjidhje për parkingun, sipas tij, gjatë kësaj jave do zgjidhet ky problem.

“Banorët e rrugës “2 Korriku” apo ‘Kafeve të Rakisë’ kërkojnë t`u gjendet zgjidhje për parkim dhe pa u bërë kjo nuk mundemi ta mbyllim rrugën për qarkullim. Komuna e Prishtinës dhe Manifesta janë duke punuar në këtë drejtim dhe me shumë gjasë, gjatë kësaj jave zgjidhet ky problem”, shtoi tutje Berisha.

Bienalja Nomadike Evropiane “Manifesta” e cila ka qëllim promovimin e marrëdhënies midis kulturës dhe shoqërisë duke katalizuar ndryshimet pozitive në Evropë do të mbahet nga 22 korriku deri më 30 tetor 2022, në Prishtinë, tashmë kanë filluar ndërhyrjet e para urbane.

Përpos idesë për rrugën ‘2 Korriku’, Manifesta ka bërë ndërhyrjet urbane edhe tek ish Tulltorja e qytetit, bashkë me studentë të Fakultetit të Arkitekturës.

Tek ish-Tulltorja, “Manifesta” bashkë me komunën pritet të bëjnë një studim urban për çështje të kulturës dhe arsimit.

Hapësirë e re për komunitetin përmes ‘Manifestës’ pritet të bëhet edhe tek ish-Biblioteka “Hivzi Syljemani”, Pallati i Rinisë dhe Stacioni i Autobusëve në ‘Kalabri’.

Edicionet e mëparshme të ‘Manifestas’ janë zhvilluar në Roterdam (1996), Luksemburg (1998), Lublanë (2000), Frankfurt (2002), San Sebastian (2004), Nikosia (2006 – anuluar), Trentino-Tiroli Jugor (2008), Murcia në dialog me Afrikën veriore (2010), Limburg (2012), Shën Petersburg (2014), Cyrih (2016) dhe Palermo (2018). Edicioni i vitit të kaluar u mbajt në Marsejë.