Deputeti i AAK, Bekë Berisha, Foto: KALLXO.com

Berisha jep detaje për raportimin e Mehajt në lidhje me FSK-në

Kryetari i Komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, Bekë Berisha ka folur pas raportimit të ministrit të Mbrojtjes Armend Mehaj në këtë komision, i cili në pjesën më të madhe u mbajt i mbyllur për media.

Berisha tha se takimi dhe raportimi i ministrit ishte i rregullt. Ai tha se kanë trajtuar të gjitha temat që kanë lidhje me Ushtrinë.

Ai u pyet nga gazetarët edhe në lidhje me emërimin e komandatit të ri të FSK-së, Bashkim Jashari.

“Emërimet e gjeneralëve, ndërrimet janë normale, ndodhi,  do të ndodhin edhe në të ardhmen nuk ka diçka që mundem me potencuar këtu”, tha ai para mediave.

Ai tha se kanë diskutuar edhe për lajme të publikuara në media në lidhje me FSK-në.

“Kemi të bëjmë me ushtrinë e Kosovës. Duhet me pas kujdes në prodhimin e këtyre lloj rrenave manipulimeve se kinse Kosova ose Ushtria e Kosovës ka dasht mu përfshi me një operacion policor. Ne aspirojmë NATO-n, nuk ka nevojë për këto sepse e kemi Policinë e Kosovës. Policia e Kosovës është e zonja me i menaxhuar këto situata. Këto janë trillime të panevojshme”, tha Berisha.

“Të gjithë jemi patriotë dhe dojmë me pas shtetin funksional nuk duhet me u lëshu në deklarata që i bëjnë dëm”, shtoi kryetari i Komisionit.

I pyetur se cili është niveli i sigurisë në Kosovë, Berisha tha se shqetësues është rasti i vrasjes në Gllogjan të Deçanit javën e kaluar, ku në një autobus u vranë tre persona.

“Janë shqetësuese sidomos rasti në Gllogjan. Kjo është një temë që na ka shqetësuar të gjithëve, kërkojmë përgjigje nga institucionet e sigurisë. Mirëpo si komision kur ta ftojmë ministrin e Punëve të Brendshme dhe drejtorin e Policisë i trajtojmë këto çështje”, theksoi ai.

Mbyllet për media raportimi i ministrit të Mbrojtjes