Bekim Haxhiu: Për shkak të mungesës së anesteziologëve në ditë dështojnë 15-16 operacione

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, në emisionin “Kallxo Përnime” ka folur për mungesën e anesteziologëve në Kosovë.

Haxhiu ka thënë se për shkak të mungesës së tyre dështojnë të kryhen operacione të shumë pacientëve.

“Për shkak të mungesës së anesteziologëve mesatarisht 15 deri në 16 operacione dështojnë në ditë’ – ka thënë Haxhiu.

Ai tutje ka folur për largimin e këtyre profesionistëve shëndetësorë nga sektori publik shëndetësor i Kosovës.

Sipas tij, në dy vitet e fundit janë mbi 20 anesteziologë që e kanë braktisur sektorin publik dhe kanë shkuar ose në sektorin privat ose jashtë vendit.

“Problemet me anesteziologë nuk i kemi pasur para dy viteve. Vetëm këtë vit kanë ikur 10 anesteziologë. 44 specializime në anesteziologji janë ndarë nga Armend Zemaj, katër nuk kanë shkuar hiç, tetë kanë ikur jashtë vendit, 32 janë në specializim dhe janë 47 aktual” – ka thënë tutje ai.

Haxhiu ka thënë se profesionistët shëndetësorë që janë të angazhuar në punë administrative duhet t’u kthehen klinikave ku ka më shumë nevojë.

“Në klinikat ku ne kemi probleme me lista të pritjes ne i dërgojmë profesionistët në punë administrative, dhe do të duhej të ishte e kundërta, edhe nëse kanë qenë në punë administrative me i kthy me punu në punë profesionale” – ka thënë Haxhiu.