Auditori: Anesteziologët në QKUK më të ngarkuar se ata në spitalet regjionale

Zyra Kombëtare e Auditorit ka audituar tre muaj të trajtimit të pacientëve me COVID-19 në QKUK dhe Spitalet Regjionale.

Auditori ka përfshirë në raport, muajin gusht të vitit 2020, muajin dhjetor të vitit 2020 dhe muajin mars të vitit 2021 ku mjekët profesionistë kanë pasur mbinngarkesë me pacientë.

Nga krahasimet e numrit të personelit shëndetësor për muajt e audituar ku krahasimet janë bërë vetëm për disa profile që janë konsideruar si më të rëndësishme për trajtimin e pacientëve COVID-19, auditori ka vërejtur se nuk ka pasur shpërndarje të barabartë të numrit të personelit shëndetësor në spitalet e vendit krahas numrit të pacientëve të trajtuar në atë spital.

Sipas auditorit, gjatë muajit gusht 2020 mesatarja e numrit të pacientëve për anesteziolog kishte qenë më e lartë se dyfishi i numrit të pacientëve COVID-19 për anesteziolog në QKUK. Numri i pacientëve në këtë muaj ka qenë 276.

Ndërsa edhe spitali i Pejës kishte pasur numër të pacientëve për anesteziolog gati dyfishin e numrit të pacientëve COVID-19 për anesteziolog në QKUK. Numri i pacientëve në këtë muaj ka qenë 82.

“Sa i përket infektologëve në muajin gusht 2020, mesatarja e numrit të pacientëve kishte qenë gati katërfishi i numrit të pacientëve COVID-19 për infektolog në QKUK, ndërsa ishte më shumë se dyfishi i numrit të pacientëve COVID-19 për infektolog në spitalin e Prizrenit”, thuhet në raport.