Driton Vela

Driton Vela

Dyshon në aftësitë e anesteziologut që specializoi në SHSKUK, Maqedonia e Veriut i dërgon notë verbale Kosovës

Një shtetas i Maqedonisë së Veriut kishte përfunduar specializimin për anesteziologji në Shërbimin Spitalor Klinik Universitar të Kosovës. Më pas, ai kishte filluar të punonte në institucionet e vendit të tij.

Emisioni #KallxoPernime – Milionat për barna 11.05.2023 – YouTube

Por, gjatë punës së tij anesteziologu kishte ngjallur dyshime për kompetencën e tij, deri në atë masë sa Maqedonia e Veriut i ka dërguar një notë verbale Ministrisë së Shëndetësisë së Kosovës, përmes të cilës ka kërkuar më shumë informata rreth specializimit të tij.

Sipas kësaj note verbale, anesteziologu nuk dinte të kryente punën e tij.

Driton Vela nga bordi për shkollim specialistik i Ministrisë së Shëndetësisë ka pranuar se kanë marr notë verbale nga Maqedonia e Veriut rreth këtij anesteziologu.

“Po, kemi marrë notë verbale për ta sqaruar se a e ka përfunduar ai anesteziolog shkollimin specialistik dhe a i ka dëshmitë në Kosovë, dëshmitë e vijueshmërisë e të tjera” – ka thënë Vela në emisionin “Kallxo Përnime”.

Ai më tej ka shtuar se këtë kandidat e prek udhëzimi i vjetër administrativ për shkollim specialistik, sipas të cilit lejohet që një specialist mund të jetë mentor, kryetar i komitetit dhe drejtor i klinikës.

Vela tha se personi që ia ka dhënë nënshkrimet anesteziologut në fjalë për vijueshmërinë dhe të gjitha të tjerat është i njëjti person.

“I njëjti person ka qenë mentor, kryetar komiteti dhe drejtor klinike… Udhëzimi i vjetër, i vitit 2017, një personi i lejohet që t’i kontrollojë të gjitha aspektet e shkollimit specialistik, e ky është konflikt interesi” – thotë tutje Vela.