Bekë Berisha - kryeministrit Kurti: Mos u përgjigjeni ju zotëri Hegel, por ministrat përkatës

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Bekë Berisha i ka parashtruar një pyetje lidhur me subvencionet dhe grandet e fermerëve ministrit të Bujqësisë, Faton Peci dhe se sa është interesuar për t’ju ofruar ndihmë.

“Zotëri ministër, unë kam pritur që juve të ju shoh të veshur me çizme duke vlerësuar dëmet e shkaktuara nga vërshimet, por si duket ju po e shijoni zyrën dhe kerret më shumë”, ka thënë deputeti i AAK-së.

Për pyetjet e parashtruara, Beka ka kërkuar të përgjigjet vetëm ministri Peci dhe “jo deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe as zotëri Hegel”, duke e cilësuar me këtë epitet kryeministrin Albin Kurti.

Ministri i Bujqësisë Faton Peci në kundërpërgjigjen e tij, ka thënë se kjo ministri e ka filluar vitin me 40 milionë obligime dhe borxhe që ky institucion ka te fermerët.

“Nuk është e vërtetë që është ndalë përkrahja për bujqit në aspektin e subvencionimit. Qeveria e Kosovës ja marrë vendim që 1.3 milion të ndahen për kompensimin e dëmeve në bujqësi dhe ende jemi në proces të pritjes për të bërë vlerësimin e dëmeve të fundit që ka prekur kryesisht komunat, Gjilan, Skenderaj, Drenas e kështu me radhë”, tha ministri Peci.

Po ashtu ministri i Bujqësisë ka shtuar se javën e kaluar, Qeveria e Kosovës ka ndarë 1.4 milion euro për kompensimin e subvencioneve të dyta “marrë në tërësi Ministria e Bujqësisë me një shumë prej 2.7 milionë eurove, ju ka dalë në ndihmë fermerëve”.