BeH: Dodik lavdëron Karaxhiqin dhe Mlladiçin, sulmon SHBA-në: “Srebrenica nuk është gjenocid, rroftë Rusia”

Udhëheqësi i serbëve të Bosnjës, Milorad Dodik, i ka lavdëruar sot në Banja Lluka kriminelët e dënuar të luftës Radovan Karaxhiq dhe Ratko Mlladiq dhe e ka akuzuar SHBA-në për një “luftë hibride” kundër Republikës Serbe.

Dodik e ka thënë një gjë të tillë në akademinë që organizoi si pjesë e festës dyditore të 9 janarit, e cila festohet në Republikën Srpska si dita e këtij entiteti, pavarësisht vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Bosnjës dhe Hercegovinës i vendosur nga viti 2015 se ajo datë është jokushtetuese sepse i diskriminon kroatët dhe boshnjakët.

“Thuajeni më në fund se Srebrenica nuk ishte gjenocid”

Në fjalimin që mbajti para të ftuarve, Dodik u ankua për fatin e vështirë të serbëve gjatë historisë, që nga epoka turke, dhe arriti në përfundimin se kroatët dhe boshnjakët i detyruan të krijonin Republikën Serbe sepse donin t’i “ndanin nga nëna Serbi”. Ai pohoi se politikanët serbë në asnjë mënyrë nuk janë përgjegjës për luftën dhe se në Perëndim gënjejnë kur flasin për krimet serbe.

“Më në fund thuajeni se Srebrenica nuk ishte gjenocid”- thirri Dodik në një moment, duke i mbrojtur kriminelët e dënuar të luftës Karaxhiq dhe Mlladiq si “njerëz që udhëhoqën Republikën Serbe” dhe që dyshohet se luftuan për liri. Ai pretendon se sot kundër Repuiblikës Serbe po bëhet një luftë hibride, e mbështetur nga disa vende perëndimore, me në krye SHBA-në.

 “Rroftë Serbia, Rusia dhe bota ortodokse”

Dodik tha gjithashtu se qëllimi përfundimtar është shteti serb në këto zona, kështu që vija aktuale që ndan Republikën Serbe nga Federata e Bosnjë-Hercegovinës do të bëhet përfundimisht kufiri i vërtetë dhe fjalimin e mbylli me mesazhin “rroftë Serbia, Rusia. dhe bota ortodokse”.

Në Republikën Serbe, 9 janari përkujtohet në kujtim të asaj date të vitit 1992, kur një pjesë e përfaqësuesve të kombësisë serbe në Kuvendin e Republikës Socialiste të atëhershme të BeH, në kundërshtim me kushtetutën dhe ligjet e saj, shpallën “republikën e poullit serbe në BiH”.

Ata e morën këtë vendim në përpjekje për ta penguar krijimin e BeH-së si shtet i pavarur dhe për ta mbajtur atë në përbërjen e Jugosllavisë “të cunguar” nën dominimin e Serbisë, gjegjësisht qeverisë së atëhershme të Sllobodan Millosheviqit.

Këtë vit në Akademinë e Dodikut erdhën vetëm një numër i vogël i mysafirëve të huaj 

Pas shpalljes së republikës së vetëshpallur serbe brenda Bosnjës dhe Hercegovinës, Partia Demokratike Serbe (SDS), e udhëhequr nga i dënuari aktual për krime lufte Radovan Karaxhiq, filloi ta marrë pushtetin në komunat me shumicë serbe dhe të kryejë përgatitjet për persekutimin e kroatëve dhe boshnjakëve që pasoi në prill, i cili filloi një luftë trivjeçare e gjysmë në të cilën u vranë rreth 100 mijë njerëz.

Autoritetet në Republikën Serbe, të udhëhequra nga Dodik, vendosën së refuzuari vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Bosnjë-Hercegovinës dhe të shënojnë rregullisht 9 janarin e çdo viti.

Këtë vit në Akademinë Dodik erdhën vetëm disa mysafirë të huaj, si patriarku serb Porfirie dhe kryetari i Kuvendit të Serbisë në largim Vladimir Orliq dhe ambasadori rus Igor Kalabuhov. Më herët Banja Luka kishte njoftuar se aty mund të paraqitej edhe kryeministri hungarez Viktor Orban, por ai nuk erdhi dhe presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatoviq, e refuzoi haptazi ftesën e Dodikut, duke thënë se Podgorica e respekton Bosnjën dhe Hercegovinën si shtet integral.

Vuçiç: Beogradi do të vazhdojë ta mbështesë integritetin e BiH dhe t’i kundërshtojë përpjekjet për t’a shfuqizuar Republikën Serbe

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq e ka dërguar një mesazh në të cilin deklaroi se Beogradi do të vazhdojë ta mbështesë integritetin e BiH dhe t’i kundërshtojë përpjekjet për të shfuqizuar republikën Serbe.

“Kemi besuar se kohët e vështira kanë mbetur pas nesh, por kam frikë se epoka e sfidave të mëdha, për Serbinë, nuk ka ardhur ende. E thashë këtë sepse kohë të mira dhe të lumtura nuk mund të ekzistojnë veçmas dhe veçmas për Serbinë apo Republikën Serbe. Gjithashtu koha e sfidës për disa është e njëjtë për të tjerët”.

Serbia, gjatë gjithë këtyre viteve, u soll me përgjegjësi dhe në vazhdimësi e mbështeti Marrëveshjen e Paqes të Dejtonit dhe kornizat ligjore që rezultojnë nga ajo marrëveshje. Shumë, që morën pjesë në miratimin e kësaj kornize, po përpiqen të tallen me postulatet e saj themelore dhe në thelb ta fshijnë ekzistencën e Republikës Serbe./Index.hr

Përgatiti: Nuhi Shala