Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

BE-ja propozon sanksione të mëtejshme ndaj Rusisë, përfshirë edhe ndalimin e importit të qymyrit

Komisioni Evropian e ka propozuar paketën e pestë të sanksioneve kundër Rusisë, e cila synon “ta shkurtojë edhe më thellë ekonominë ruse”, tha presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, sot, ditë e martë.

Masat e propozuara përfshijnë ndalimin e importit të qymyrit nga Rusia me vlerë 4 miliardë euro në vit.

“Kjo do ta shkurtojë një burim tjetër të rëndësishëm të të ardhurave për Rusinë”, tha von der Leyen.

Komisioni ka propozuar gjithashtu një ndalim të plotë të transaksioneve në katër banka kryesore ruse, mes tyre VTB, banka e dytë më e madhe ruse, si dhe një ndalesë për të pasur qasje në portet e BE-së.

“Disa përjashtime do t’i mbulojnë gjërat esenciale si produktet bujqësore dhe ushqimore, ndihmat humanitare si dhe energjinë. Për më tepër, ne do ta propozojmë një ndalim për operatorët e transportit rrugor të Rusisë dhe Bjellorusisë. Ky ndalim do t’i kufizojë në mënyrë drastike mundësitë për industrinë ruse për të marrë mallra kyçe”, tha von der Leyen në një deklaratë.

Paketa e re e sanksioneve propozon gjithashtu ndalime të mëtejshme të synuara për eksportet në Rusi, me vlerë 10 miliardë euro, duke përfshirë teknologji të tilla si kompjuterët kuantikë dhe gjysmëpërçuesit e avancuar, por edhe makineri të ndjeshme dhe pajisje transporti.

“Ne po punojmë për sanksione shtesë, përfshirë importin e naftës dhe po reflektojmë mbi disa nga idetë e paraqitura nga shtetet anëtare, të tilla si taksat ose kanalet specifike të pagesave si një llogari ruajtjeje”, tha presidentja i Komisionit Evropian.

“Është e rëndësishme të mbahet presioni maksimal ndaj Putinit dhe ndaj qeverisë ruse në këto momente vendimtare”, shtoi ajo.

Shtetet Anëtare të BE-së do të duhet ta nënshkruajnë propozimin e Komisionit./CNN

Përgatiti: Nuhi Shala