Screenshot BBC, Damjan Knezeviq

BBC interviston ‘nacionalistin pro-rus’, i njëjti kishte marrë pjesë edhe në protestën në Jarinjë

Media britanike, British Broadcasting Corporation e njohur si BBC, i ka kushtuar një videoreportazh se si u rrit “lëvizja nacionaliste pro-ruse” në Serbi, e që protagonist i këtij materiali është Damjan Knezeviq, qytetar serb.

Nacionalisti pro-rus, Knezeviq kishte marrë pjesë edhe në protestën në Jarinjë, pjesa nga Serbia, më 18 dhjetor 2022, e cila ishte thirrur në “mbështjetje të serbëve të Kosovës”.

Ai kishte qenë edhe organizator i protestës në Beograd me thirrje pro-ruse dhe duke i bërë thirrje serbëve që të mbështesin rusët.

“Ushtria ruse vendos “Z” dhe “V” për fitore. Edhe ne në Beograd dhe në gjithë Serbinë, vendosim këtë “Z” në bluzat tona dhe mure. Ne mbështesim vëllëzerit tanë” – thotë ai për BBC para një muri që mbanë shkronjën “Z”.

Knezeviq për BBC është deklaruar për përkrahjen e tij ndaj Rusisë duke e ndërlidhur se shteti rus “është duke bërë shumë” që Kosova të jetë pjesë e Serbisë.

“Rusia është duke bërë shumë për të siguruar që Kosova të jetë pjesë e Serbisë. Nëse nuk do të ishte për Rusinë, ne do të kishim humbur territor shumë kohë më parë” – thotë ai.

Gjatë kësaj interviste ai rrëfen ‘rrugëtimin’ e tij drejt të qenurit radikalist.

“Në vitin tim të parë në Universitet, policia shqiptare u përpoq të vendoste një kufi mes Serbisë dhe Kosovës. Serbët në veri të Kosovës u përpoqën t’i ndalonin duke vendosur barrikada. U bashkuan studentë si unë. Kalova gjashtë muaj atje. Ngjarjet hapën një rrugë të re në jetën time” – thotë ai.

Më tej ai flet edhe për lidhjen e tij me grupin marcenar – Wagner.

“A keni pranuar ndonjëherë para nga Wagner” – e pyet gazetarja e BBC-së.

“Jo, jo” – “Unë nuk kam kontakt me dikë nga Wagner, përveç një gazetari. Ai ka një zyrë atje dhe është mik i vjetër. Unë përkrahi Wagner dhe atë që ata bëjnë. I respektoj për atë që kanë arritur” – u përgjigj Knezeviq.

Në pyetjen për akuzat ndaj Wagner për krime në Ukrainë ai u shpreh se “mendon që kjo është një propagandë”.

“Ata [Wagner] kanë bërë një punë të mirë, janë më të mirë se ushtria zyrtare ruse” – shprehet ai.

Intervistën e plotë mund ta ndiqni në këtë LINK 

Kujtojmë se më 18 dhjetor 2022, serbët në pikën kufitare në Jarinjë nga ana e Serbisë kishin mbajtur protestë.

Gjatë raportimit live, rrjeti televiziv “Russia Today” ishte parë duke intervistuar  Damjan Knezeviq, i cili thoshte se çdo marrëveshje që është nënshkruar në Bruksel e ka forcuar pavarësinë e Kosovës. Ky tubim ishte thirrur në “mbështjetje të serbëve të Kosovës”.

Përgatiti: Xheneta Murtezaj